Temperatura tropikale në Maqedoni, qytetarët kërkojnë shpëtim në vendet rekreative

Ndihma e shpejtë ka intervenuar plot 110 herë, shifër kjo që paraqet rritje minimale në krahasim me ditët a kaluara.

Temperaturat e larta nuk ishin pengesë që turistët të shëtisnin nëpër Shkup. Edhe pse termometri në qendër të Shkupit shënonte mbi 40 gradë celsius, në qendër të qytetit kishte shumë lëvizje, megjithëse në internet qarkullonin fotografi ku mund të vërehej se temperaturat në qytet janë rreth 50 gradë celsius.

Ekipi i Tv21, nga sheshi i qytetit u drejtua drejt Vodnos. Aty kishte disa familje të cilët kishin vendosur që këtë ditë të nxehtë ta kalojnë në shpatet e Vodnos.

“Vodnon e vizitojmë për shkak të rekreacionit dhe meqë në qytet është shumë nxehtë. Këtu është më freskët dhe prandaj vijmë. Nuk di sa është temperatura sot, por dëgjuam se do të jetë rreth 41 gradë celsius”, tha Aco Saveski.

Informacionet e fundit flasin se 24 orët e kaluara, Ndihmë e shpejtë ka intervenuar plot 110 herë, shifër kjo që paraqet rritje minimale në krahasim me ditët a kaluara.

“Më shpesh na kërkojnë të sëmurët kronikë, ata që kanë probleme me zemrën, shtypjen e gjakut, personat që vuajnë nga astma, që kanë pasur sulm në tru. Megjithatë, ka raste edhe të aksidenteve rrugore, rënieve gjatë punëve ndërtimore dhe kolaps tek ata që nuk i respektojnë rekomandimet e mjekut”, u shpreh Dr.Gjorgi Karamanovski.

Drejtoria për çështje hidrometereologjike për nesër njoftoi se në orët e pasdites, nga veriu do të zbresë masë më e freskët ajrore ku në disa vende do të shkaktojë mot të paqëndrueshëm me reshje shiu. Temperaturat ditore do të bien për disa gradë, megjithatë ato do të vazhdojnë të lëvizin në intervalin prej 31 deri 40 gradë celsius.

Back to top button