Tërmeti mbanë në ankth banorët e Ohrit

Edhe sot u trazua uji i Liqenit të Ohrit

Një orë pas mesnatës dridhi Ohrin një tërmet me magnitudë prej 3 ballësh. Përsëri banorët e këtij qyteti mbetën me valixhe në dorë.

Pas tërmeteve të shumta ka reaguar ministrja e mbrojtjes Radmila Sheqerinska. Ajo hapi dyert e kampit ushtarak “Shën Naumi”. Përmes Facebook Sheqerinska informoi qytetarët të cilët kanë dëme materiale dhe nuk ndjehen të sigurt mund të strehohen në këtë kamp, shkruan TV21.TV

“Kampi ushtarak në Ohrit ka hapur dyert për qytetarët e shqetësuar nga tërmetet. Ministria e Mbrojtjes i informon qytetarët, ato që kanë dëme materiale nga dridhjet e deritanishme dhe nuk ndjehen të sigurt mund të strehohen në kampin “Shën Naumi” deri sa toka të qetësohet”, u shpreh Radmila Sheqeinska, Ministre e Mbrojtjes.

Por kryetari i komunës së Ohrit Nikolla Bakraqeski theksoi se nuk ka nevojë për panik tek qytetarët. Ai u ankua edhe për moskoordinim të institucioneve për tejkalimin e krizës.

“Neve na nevojitet koordinim i mirë me qendrën për menaxhim me krizat, mbrojtje dhe shpëtim. Deri në këtë moment këta nuk kanë ofruar ndonjë koordinim solid me ne, por shpresoj se në të ardhmen do të koordinohemi shumë më mirë, gjegjësisht shpresoj se shumë shpejtë do të shkojnë njerëz nga këto institucione në vendngjarje. Na nevojitet një qasje më serioze”, tha Nikolla Bakraqeski, kryetar i komunës së Ohrit.

Nga shtabi i krizave theksojnë se ekipet janë në teren për vlerësimin e dëmeve materiale. Angel Janev ftoi ministrat që të vinë dhe të marrin pjesë në takimin koordinues.

“Megjithatë do të kisha thënë se kjo çështje nuk është çështje lokale, por është çështje e sigurisë së R.M, kuptohet në aspekt të sigurisë së qytetarëve të këtij vendi. I bëjë thirrje publikisht ministrit të punës dhe politikës sociale, ministrit të brendshëm, ministres së mbrojtjes që nesër nëse kanë mundësi të marrin pjesë në takimin koordinues të lidhur me aktivitetet”, tha Angel Janev, nga shtabi i krizave.

Edhe pse kampi është hapur, megjithatë asnjë person aty nuk ka pasur interes për tu strehuar.

Sizmologët kanë bërë apel deri tek banorët e qytetit të Ohrit se do të ketë edhe disa dridhje të tokës deri sa të stabilizohet, por kjo nuk do të thotë se duhet të ketë panik tek qytetarët, sepse këto janë dridhje të lehta që janë normale dhe vijnë si pasojë e tërmeteve më të fuqishme./21Media

 

Back to top button