6 vjeçari lëndohet nga gurët që po shembeshin

6 vjeçari lëndohet nga gurët që po shembeshin

Lëkundjet e fundit të tërmetit kanë shkaktuar një sërë dëmtimesh në Bashkinë Klos. Banorët e ndërtesës 5 katësh kërkojnë ndihmë pasi banesat e tyre janë bërë të pabanueshme. Po ashtu edhe shtëpia e familjes Katuçi me 6 anëtarë është në gjendje thuajse të rrënuar.

Tërmeti i fundit ka shkaktuar dëmtime edhe në banesat e Bajram Currit. Një ndërtesë 5 katëshe e ndërtuar në vitet ’90 ka pësuar çarje duke përbërë rrezik për familjet që jetojnë aty. Ndërtesa ka pasur dëmtime, por lëkundjet e fundit  kanë shkatuar çarje në mesin e ndërtesës si dhe mënjanim.

Banorët janë ankuar disa herë, por ende nuk është marrë ndonjë masë.

 “Si në 2005 edhe në tërmetin e shtatorit, aq më tepër në tërmetin e fundit ka pësuar ikje në njërin krah, çarje, është i pabanueshëm”, tha Ali Syla, banues.

Fatmirësisht pa dëme në njerëz, por tërmeti i rënë së fundmi ka lënë në qiell të hapur familjen Katuçi në Klos.

Familja e Ylber Katuçit prej 6 anëtarësh është detyruar të dalë jashtë pas lëkundjeve pasi ka nisur shembja e banesës.

Gjatë momentit të largimit, djali 6 vjeçar i kësaj familjeje është lënduar nga gurët që po shembeshin.

Ndërsa kryefamiljari, Ylber Katuçi nuk ndodhej në banesë pasi punonte në minierë.

“Katrahurë, çunin e kam në spital. I ka rënë një gur në këmbë. E kemi përjetuar keq, bashkëshortja është shtatzënë”, tha Katuçi.

Zëvendëskryetarja e Bashkisë Klos, Adelina Laçi, tha se grupet e emergjencave civile po bëjnë verifikimet e të gjithë raportimeve të banorëve.

Për sa i përket familjes Katuçi, Laçi se gjendja është e rëndë dhe se shtëpia është e pabanueshme.

Janë dëmtuar 7 familje. Banesat janë bërë të pabanueshme. Po bëhen verifikimet“, tha Laçi.

Në Bashkinë e Klosit janë me dhjetra banesa të raportuara si të dëmtuara. Tre banesa janë në Njësinë Xibër në të cilat nuk mund të jetohet.

Po ashtu raportime ka patur edhe në njësitë Suç e fshatrat e Njësisë Klos.