Një plan shumë ambicioz i Rrahim Tërnavës është zhvillimi i turizmit

Një plan shumë ambicioz i Rrahim Tërnavës është zhvillimi i turizmit

Kryetari i degës së PDK-së në Fushë Kosovë, Rrahim Tërnava, garon për herë të parë për një ulëse në Kuvendin e Kosovës. Për zgjedhjet e 6 tetorit ai mban numrin 77 në listën e Partisë Demokratike që udhëhiqet nga Kadri Veseli.

Që nga ardhja e tij në krye të degës, Tërnava thotë se është takuar me mijëra njerëz të cilëve iu di kërkesat dhe shqetësimet e që bëjnë që shumë prej tyre të jetojnë në një realitet të dhimbshëm i cili e ka shtyrë që të angazhohet edhe që ta ndryshojë gjendjen e tyre.

Ai zotohet se kërkesat e tyre do t’i adresojë në Kuvendin e Kosovës dhe të ngrisë zërin në mënyrë që ato të marrin zgjidhje. Madje, Tërnava shprehet se mund ta kushtëzojë votën e tij me çështje shumë të rëndësishme vetëm e vetëm që kërkesat e qytetarëve të realizohen.

Tërnava në intervistën “Kandidatët” të kp tha se vendi dhe Fushë Kosova në veçanti ka shumë nevojë për investime në ndërmarrësi dhe organizimin e punëtorive të ndryshme për prodhuesit që të orientohen drejt tregut.

“Premtimi im konkret është që do të bëj kërkesat e qytetarëve që janë mëse të nevojshme për jetë normale, këto do t’i realizoj, nëse është nevoja edhe duke e kushtëzuar qeverinë për votën time për buxhet, do ta kushtëzoj që qytetarët e Fushë Kosovës por edhe qytetarët e tjerë aty ku votohem më së shumti që t’ju shërbej atyre, investimet në sport, rekreacion ka nevojë shumë qyteti ynë dhe fshatrat përreth, investimet në ndërmarrësi ka nevojë shumë, punëtori të ndryshme për prodhime të ndryshe për tregun e tyre ata që punojnë këtu”, tha ai.

Një plan shumë ambicioz i Rrahim Tërnavës është zhvillimi i turizmit për të cilin thotë se është një sektor që mund të rrisë ndjeshëm numrin e të punësuarve. Ai thekson se Kosova mund të përfitojë shumë nga një plan i mirë i turizmit.

Tërnava ka listuar 77 vende të cilat duhet të vizitohen nga turistë shqiptarë e të huaj në Kosovë, numër ky që konsiston në atë që mban në listën e Partisë Demokratike të Kosovës për deputetë për Kuvend të Kosovës.

Gjithashtu, kreu i degës së PDK-së në Fushë Kosovë veçon nevojën për ngritjen e një Agjencioni për Menaxhimin e Turizmit, ashtu sikurse e kanë edhe vendet e tjera të rajonit, që do të shërbente për të promovuar më mirë bukuritë e vendit.

“77 bukuritë e Kosovës që duhet të vizitohen unë i kam listu që do t’i promovoj ato 77 pika si deputet i ardhshëm i Parlamentit të Republikës së Kosovës, pasi kam punuar në fushën e turizmit, në industrinë e turizmit dhe udhëtimeve dhe tash këto 77 bukuri natyrore të Kosovës, monumentet historike, do t’i promovoj gjatë punës time si deputet. Tu marrë parasysh se Kosova ka jashtëzakonisht bukuri të mira, ka vende që duhet të vizitohen, ka shumë vende që edhe vendorët sot nuk i dinë sa të bukura dhe çfarë vlere historike kanë, këto do ta bëj në formë të shkruar dhe do të kërkoj nga Qeveria e Kosovës, nga ministrat përgjegjës që ta themelojnë Agjencionin për Menaxhimin e Turizmit dhe promovimin e turizmit qysh e kanë shtetet përreth pasi vetëm Kosova nuk ka një agjencion që bën promovimin e turizmit, pas themelimit të agjensionit do t’i fusim këto 77 pika ose edhe më shum ë për t’i promovuar në të gjithë botën që të sjellin turistë në Kosovë”, u shpreh Tërnava.

Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së thotë se çështja e ambientit nuk do të lihet anash nga ai. Sipas tij, ndër iniciativat që do t’i ndërmarrë në Kuvend do të jetë edhe ajo për përfshirjen e Komunës së Fushë Kosovës në Ligjin për Ndotjen e Ambientit ku bën pjesë edhe Komuna e Obiliqit.
Sipas tij, çështja e ajrit të rëndë në Fushë Kosovë nuk është ngritur asnjëherë në Kuvendin e Kosovës, pasi sipas tij, ata deputetë që vinin nga kjo komuna në legjislaturat e kaluara kishin shkuar aty vetëm për të fjetur dhe jo për t’u marrë me shqetësimet e qytetarëve.

“Iniciativa do të jetë ambienti që në Komunën e Fushë Kosovës është shumë ambient i rëndë sa i përket sidomos ajrit që thithim çdo ditë, kjo iniciativa kryesore që do të marrim masa për pastrimin e ajrit që aty është niveli qendror që mundet me marrë masa, sidomos në KEK, edhen do të përfshihet Komuna e Fushë Kosovës me ligjin për ndotjen e ambientit që Komuna e Obiliqit është përfshirë ndërsa Komuna e Fushë Kosovës është lënë anash sepse Komuna e Fushë Kosovës asnjëherë nuk e ka pasur një zë në Kuvendin e Kosovës, kanë qenë në të kaluarën por ata thuajse kanë shkuar për të fjetur dhe jo për të punuar dhe jo për t’iu përgjigjur shërbimit qytetarëve ata të cilët e kanë votuar”, deklaroi Tërnava.