"Vuajtja nuk është art", protestë e aktivistëve për të drejtat e kafshëve si reagim ndaj veprës së Sislej Xhafës

“Vuajtja nuk është art”, protestë e aktivistëve për të drejtat e kafshëve si reagim ndaj veprës së Sislej Xhafës

Galeria Kombëtare e Kosovës ka mbajtur konferencë për media, në lidhje me protestën “Vuajtja nuk është art” që do ta mbajnë sot aktivistë për të drejtat e kafshëve, si reagim ndaj veprës së Sislej Xhafës, “Tetë lopë Kosove”.

Arta Agani, drejtoreshë e këtij institucioni ka treguar se për realizimin e kësaj vepre ata janë konsultuar edhe me ekspertë të veterinarisë dhe ka thënë se lopët po mbahen në kushte të mira sipas rekomandimit të Ministrisë së Bujqësisë.

Personat që kanë organizuar protestën, Agani i ka quajtur jo kredibilë për ta vlerësuar artin dhe ka thënë se ata nuk kanë shkuar për t’i parë kushtet ku po mbahen kafshët dhe as nuk janë konsultuar me stafin.

“Unë nuk mendoj se ata persona janë kredibil që të vlerësojnë se çka është arti edhe çka përdoret për art. Nuk është hera e parë që kafshët me të cilat njeriu jeton dhe gjithmonë ka jetu së bashku, përdoren për art. Do të thotë nuk është një zbulim i ri ky dhe nuk është aspak keqpërdorim i kafshës, është vetëm një zhvendosje, ku kafshët janë pjesë e konceptit artistik”, ka shtuar Agani.

Pronari i lopëve, Arben Avdiu ka treguar se këto janë lopë ferme dhe sipas tij nuk ka problem pse qëndrojnë të mbyllura. Ai po ashtu ka thënë se lopët janë në mbikëqyrje 24 orë.

Gjatë konferencës, artisti Sislej Xhafa ka dërguar një mesazh të cilin e kumtoi drejtoresha Arta Agani.

“Unë jam vegjetarian. Ju dua pa e ditur”, thuhet në mesazhin e Xhafës.

Ndërkaq, grupi “Të bashkuar për kafshët” do të mbajë protestë kundër kësaj vepre në ora 16:30 në oborrin e Galerisë Kombëtare.