Tetë viktima nga moti i lig në Shqipëri

Tetë viktima është bilanci i të ftohtit në dy javët e para të 2019-es

Tetë viktima është bilanci i të ftohtit në këto dy javët e para të vitit 2019, në Shqipëri. Moti i lig dhe temperaturat e ulëta që kanë përfshirë vendin e Shqipërisë në ditët e para të muajit janar, kanë shënuar edhe disa viktima në disa qytete.

Viktima e parë është shënuar në fshatin Ravonik të Korçës, në datën 5 janar. 55-vjeçari ka humbur jetën kur ka qenë duke lëvizur me biçikletë në rrugën e fshatit.

Vetëm 5 ditë më pas, në datën 10 janar, një 60-vjeçar humbi jetën si pasojë e të ftohtit në qytetin e Korçës. I.L. u gjet pa shenja jete në një ndërtesë të braktisur në zonën e ish-Poligonit të Bonifikimit, të cilën e kishte përshtatur si banesë dhe jetonte i vetëm. Temperaturat e ulëta që përfshin vendin tonë, shënuan edhe viktimën e tretë në rajonin juglindor.

Në datën 11 janar, një 38-vjeçar është gjetur pa shenja jete në banesën e tij në qytetin e Pogradecit. A.SH vuante nga skizofrenia dhe jetonte i vetëm pas vdekjes së dy prindërve të tij, ndërsa në dhomën ku është gjetur pa shenja jete mungonte ngrohja.

Në qytetin e Shkodrës, 52 vjeçari T.L ka vdekur pasi u zu poshtë, teksa u shemb çatia e një pike karburanti. Dyshohet se shkak ka qenë rëndesa e dëborës në çati.

Moti i lig shënoi edhe një tjetër viktimë. Gj.Q, 58 vjeç, ka humbur jetën teksa po punonte për rregullimin e një defekti në linjën e energjisë. Edhe në kryeqytet është shënuar një viktimë nga i ftohti. 68- vjeçari H.H. ka vdekur pranë Urgjencës së QSUT.

Edhe kjo javë ka nisur me viktima të tjera. E hëna shënoi një tjetër viktimë në qytetin bregdetar të Durrësit. Viktima ishte strukur pranë një strehe të improvizuar për të qëndruar në lagjen numër 4 të qytetit, ndërsa dyshohet se ka disa ditë që ka ndërruar jetë.

Ndërkohë edhe Europa është “gjunjëzuar” para motit të keq, që ka shkaktuar edhe viktima. Rastet më fatale janë shënuar në Gjermani, Austri dhe Itali. Mësohet se dy ortekë lanë të vdekur dy skiatorë gjermanë, në malet “Vorarlberg” të Austrisë. E njëjtë situatë paraqitet edhe në rajonin e Bavarisë në Gjermani. Po në këtë rajon, një vajzë humbi jetën nga rrëshqitja e ortekut, ndërsa viktimat nuk kanë munguar as në Alpet italiane.

Autoritetet janë duke vazhduar kërkimet, pasi persona të tjerë rezultojnë të zhdukur në Alpe./oranews

Back to top button