Kryesia e LDK-së homazhe te varri i Nekibe Kelmendit

Kryesia e LDK-së homazhe te varri i Nekibe Kelmendit

Sot bëhen tetë vjet që kur u nda nga jeta, nënkryetarja e LDK-së dhe deputetja Nekibe Kelmendi.

Kelmendi mbaroi Fakultetin Juridik në Prishtinë më 1968. Menjëherë pas mbarimit të studimeve, ushtroi detyrën e gjyqtares, kurse nga viti 1974 deri më 1976, ushtroi profesionin e avokatisë, duke u bërë kështu gruaja e parë avokate shqiptare.

Më pas, sërish punoi si gjyqtare deri në vitin 1987, kur u diferencua si edhe pjesa më e madhe e punonjësve shqiptarë nga ana e regjimit të Millosheviqit. Ishte një nga bashkëthemelueset e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë dhe një nga funksionaret e larta të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Pas luftës, nga janari i vitit 2000 deri në nëntor vitit 2001, ishte bashkëdrejtuese e Departamentit të Drejtësisë së UNMIK-ut. Kurse, përveç postit të deputetes, ajo ishte edhe ministre e Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës.

Kelmendi mori pjesë edhe në grupin e ekspertëve në kuadër të Ekipit të Unitetit në negociatat për statusin e Kosovës, si dhe në grupin e ekspertëve për hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Nekibe Kelmendi u lind më 11 maj 1944 në Pejë, kurse vdiq më 19 qershor 2011 në moshën 67 vjeçare, në Prishtinë.

Me rastin e 8 vjetorit të vdekjes së ish-nënkryetares së LDK-së, Kryesia e kësaj partie bën homazhe te varri i saj.