Aliu tregon në detaje për këto dy shpikje

Aliu tregon në detaje për këto dy shpikje

Ata që kanë bërë ajvar e dinë që pjesa më e rëndë është përzierja e tij. Por, Ali Kasami nga Tetova ka menduar se si ta lehtësojë këtë pjesë. Ka shpikur një mikser që me rrymë elektrike të përzihet ajvari, pa u munduar me duar. Aliu thotë se ideja e kësaj shpikjeje i erdhi pasi ka konstatuar se përzierja e ajvarit është një punë e lodhshme. Prandaj, si elektricist që është profesioni i tij, e ka shpikur këtë makineri inovative.

“Kjo është marrë nga makina (brisaqafe) Kjo punon me 12W. Kjo pjesë është me gypa të metalit. Edhe kjo pjesë këtu ka amortizim. Plus kjo është eksentri nëse është tava më e madhe kjo ngrihet më lart dhe këtu shtrëngohet.  Nëse edhe diametri i tavës është më i gjerë, gjithashtu këtu lirohet bëhet me përmasat e asaj tave që është”, potencoi Ali Kasami.

Përveç makinës së përzierjes, Aliu për t’u dalë në ndihmë nënave, ka ndërtuar edhe një djep elektrik.

“Kjo është lehtësim i nënave tona. Më tepër nënat tona i bëjnë ajvaret apo djepet i luhatin për fëmijën. Çdoherë kam menduar që t’ua lehtësoj punën dhe mundin që japin”, theksoi Ali Kasami.

Aliu është elektricist dhe thotë se shpikjet e tij i bën për të mirën e qytetarëve dhe lehtësimin e punës së tyre. Për inovacionet e tij thotë se nuk ka marrë asnjë ndihmë nga shteti, por i ka bërë me vetiniciativë.

Ai na premtoi se shpikja e radhës do të jetë edhe më interesantja. Deri tani Aliu ka ndërtuar 150 makineri të përzierjes së ajvarit dhe 200 djepa elektrikë./TV21