Thaçi: Adresa e zgjidhjes së ngërçit është te partitë politike

Sipas Thaçit nëse Kurti është i gatshëm duhet ta pranojë nominimin për mandatar, nëse jo le ta refuzojë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se adresa e zgjidhjes në të cilën ndodhet vendi është te partitë politike.

“Ajo që duhet të ndodh është respektimi i plotë i vullnetit të qytetarëve të Kosovës të shprehur me 6 tetor, ku kemi partinë e parë dhe partitë vijuese, të cilat duhet t’i japin zgjidhje këtij procesi në mënyrë që të implementohet vullneti qytetarë. Adresa e zgjidhjes së këtij ngërçi është tek partitë politike ende, ndërsa në momenti kur kalon në një fazë tjetër presidenti i vendit duke ushtruar të drejtën kushtetuese, do të punojë me tërë potencialin në bashkëpunim me partitë që të garantohet funksionimi demokratik i institucioneve”, tha Thaçi në një prononcim për media.

I pari i vendit tha se Kosova nuk do të pres gjatë.

“Kosova edhe gjatë nuk do të pres, nuk do të jetë e bllokuar, por e theksoi edhe një herë do të shikojmë të gjitha mundësitë e variacioneve politike. Të gjithë qytetarët që kanë votuar duhet t’i respektojmë dhe natyrisht jo vetëm te një adresë politike. Vazhdoj të besoj fuqishëm që do të ecim në drejtimin e duhur në mënyrë që të vazhdojmë në implementimin e prioriteteve që kemi si për liberalizimin e vizave”, tha ai.

Ndërkohë, ka folur edhe për letrat e dërguara Albin Kurtit.

“Për hir të korrektësisë, ju e dini letrat që i kam dërguar dhe ftesat që i kam dërguar partisë së parë në Kosovë të merr siç e do rendi edhe zyrtarisht të drejtën e mandatarit për themelimin e qeverisë, takimi që ka qenë ka qenë një takim i një vullneti të mirë, por në të njëjtën kohë dua të shpresoj dhe e ftoj përsëri që të mos vazhdojë të vonohet vendimi im që e kam nënshkruar që Albin Kurti është mandatuar si kandidat për kryeministër, kështu që nënshkrimi im në vendimin për mandatar ekziston, është në tavolinën time dhe pret”, tha ai.

Thaçi ka thënë se vullneti për të lëvizur më shpejtë është më i madh se sa pretendimi për të mbajtur peng votën e popullit.

“Nëse Kurti nuk e pranon dhe nuk është i gatshëm ta marrë vendimin për të qeverisur, atëherë mund ta refuzojë“, ka shtuar ai.

Ai ka thënë se do t’i shtjerre të gjitha mundësitë për formimin e institucioneve./21Media

Back to top button