Thaçi: Ballkani dhe BE-ja kanë nevojë për guxim

Ai në Konferencën Ndërkombëtare, “Dubrovnik Forum” foli edhe për formimin e ushtrisë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi sot në Konferencën Ndërkombëtare, “Dubrovnik Forum”, ku është folur për bashkëpunimin adriatiko-mesdhetar dhe sigurinë e vendeve të Evropës Juglindore.

Në prani të shumë përfaqësuesve nga shtete të ndryshme, Thaçi ka folur për tema të ndryshme nëpër të cilat po kalon Kosova dhe rajoni.

Ai  ka ritheksuar se Kosova e ka edhe detyrim kushtetues ta formojë ushtrinë, e cila do të bëhet në partneritet me NATO-n.

Duke folur për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, presidenti ka thënë se është zotim i Kosovës ta vazhdojë atë drejt normalizimit të marrëdhënieve.

“Jemi të vetëdijshëm se kemi ardhur në një pikë, në një proces të ri, i cili duhet të përfundojë me normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë“, ka theksuar ai.

Duke folur për zhvillimet politike në shtetet e Ballkanit Perëndimor, Thaçi ka thënë se pas disa muajsh mjegulle politike, gjendja në Evropën Juglindore po qartësohet.

“Qeveritë e orientimit të qartë pro Bashkimit Evropian po marrin pushtetin në shumicën e shteteve të Evropës Juglindore. Derisa, në BE ka shenja se politikat e integrimit evropian sërish po triumfojnë”, ka theksuar Thaçi.

I pari i Kosovës ka shtuar se kjo është arsyeja pse është e rëndësishme që të kemi këto forume rajonale, ku mund të diskutojmë zhvillimet në shtetet tona.

Ai ka thënë se nëse ne jemi të ngadaltë në proceset integruese dhe në bashkëpunim, kjo nuk ka të bëjë me mungesë të mekanizmave që i promovojnë ato.

“Por, kjo ka të bëjë më shumë me mungesën e guximit, vizionit dhe lidershipit. Lidershipi dhe vizioni – për të kuptuar se ne duhet të shikojmë njëri-tjetrin jo si armiq, por si partnerë dhe si shans”, ka thënë ai.

Back to top button