Izolimi dhe stagnimi duhet të marrin fund

Izolimi dhe stagnimi duhet të marrin fund

Konkluzionet e Këshillit për Çështje të Përgjithshme të Bashkimit Evropian, e kanë shqetësuar presidentin Hashim Thaçi, i cili tha “që turbulencat e brendshme e kanë turbulluar vizionin e BE-së, e cila nuk po arrin të tejkalojë instinktin proteksionist dhe neglizhencës ndaj tërë rajonit, e posaçërisht Kosovës”.

Thaçi tha se Kosova nuk është fajtore për problemet e brendshme dhe as që paraqet rrezik për BE-në.

Ne nuk do të mund të cilësohemi si fajtorë për zvogëlimin e rolit të BE-së në rajon dhe në Kosovë për shkak të dështimeve të vazhdueshme të saj. Përderisa shtete fqinje, si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, kanë pritur lajme substanciale në rrugën e tyre për anëtarësim në BE, ne kemi pritur diçka krejt minimale. Ne kemi pritur vetëm një reflektim pozitiv sa i përket fundit të izolimit të padrejtë të popullit të Kosovës”, tha presidenti.

Sipas tij, BE-ja është duke e trajtuar Kosovën ndryshe krahasuar me vendet e tjera.

Fatkeqësisht, BE-ja është duke e trajtuar Kosovën ndryshe krahasuar me vendet e tjera, dhe kjo padrejtësi nuk kalon pa u vërejtur. Por, nuk kalon pa u vërejtur as mungesa e një përkushtimi konstruktiv i institucioneve tona shtetërore për koordinimin e veprimeve strategjike në interes të vendit”, theksoi Thaçi.

Ai ka ftuar  liderët institucionalë dhe ata të partive politike parlamentare që të reflektojnë për situatën e rëndë në të cilën ndodhet vendi në raport me realizimin e perspektivës tonë për anëtarësim në BE dhe NATO.

Izolimi dhe stagnimi duhet të marrin fund. Qytetarët e Republikës së Kosovës e meritojnë zhvillimin dhe integrimin e Kosovës në strukturat euroatlantike”, përfundoi Thaçi./21Media