Njoftohet për masat e sigurisë për ditën e zgjedhjeve

Njoftohet për masat e sigurisë për ditën e zgjedhjeve

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka takuar sot krerët e institucioneve të sigurisë e të drejtësisë, drejtorin e Policisë Rashit Qalaj, kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezi, dhe drejtorin e AKI-së, Shpend Maxhuni, me të cilët ka biseduar për gjendjen e sigurisë në prag të zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë.

Thaçi është shprehur se Kosova ka ndërtuar traditë të zgjedhjeve të lira e demokratike dhe vlerësoi procesin e deritanishëm si të mirë dhe pa incidente që do të cenonte procesin elektoral.

“Jam i sigurt se edhe këto zgjedhje do të jenë të lira e demokratike”, u shpreh presidenti Thaçi dhe shtoi se “edhe këto zgjedhje do t’i përmbushin të gjitha standardet më të larta”.

Drejtori Qalaj e njoftoi presidentin se Policia e Kosovës është në gjendje gatishmërie dhe është në koordinim të plotë me institucionet e tjera për të garantuar siguri të plotë në ditën e zgjedhjeve, me vëmendje të veçantë në Qendrat e Votimit.

Kryeprokurori Lumezi njoftoi se do të ketë prokurorë në gjendje gatishmërie në çdo qendër rajonale, në tërë Kosovën, si dhe koordinim me të gjitha institucionet që të reagohet menjëherë nëse për këtë do të shfaqet nevoja.

Ndërsa, drejtori Maxhuni i AKI-së njoftoi se Agjencia vazhdon të monitorojë gjendjen dhe të vlerësojë kërcënimet për sigurinë.

Sipas një kounikate të Presidencës, udhëheqësit e institucioneve të sigurisë dhe të drejtësisë njoftuan se kanë formuar një Qendër koordinimi të përbashkët për të shpejtuar shkëmbimin e informatave, për të koordinuar veprimin dhe për të reaguar me kohë në çdo situatë.

Presidenti Thaçi i falënderoi drejtorin Qalaj, kryeprokurorin Lumezi dhe drejtorin Maxhuni për punën profesionale dhe ftojë për kujdes të shtuar në ditën e zgjedhjeve dhe në ditët në vijim.

Më 6 tetor do të mbahen zgjedhjet e parakohshme në Kosovë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar listën përfundimtare të votuesve, e cila përmban 1 milion e 937 mijë e 868 votues, të cilët kanë mundësi të mund të votojnë në 2 mijë e 547 vendvotime, kurse numri i qendrave të votimit është 895. Përndryshe, numri i personave që do të votojnë për herë të parë në këto zgjedhje është 111 mijë e 733./21Media