Thaçi: Nuk mund të ketë asnjë arsye për të ushtruar dhunë në familje e aq më pak për të marrë një jetë njeriu

Thaçi: Nuk mund të ketë asnjë arsye për të ushtruar dhunë në familje e aq më pak për të marrë një jetë njeriu

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka shprehur keqardhje të thellë për rastin e fundit në Prizren. Armenda Velija është vrarë mbrëmë nga bashkëshorti i saj me të cilin jetonte në Zvicër.

Thaçi ka thënë se dhuna në familje është e papranueshme dhe duhet ndalur menjëherë.

“Dhuna në familje është e papranueshme dhe duhet ndalur menjëherë. Shpreh keqardhje të thellë për rastin e fundit në Prizren, derisa familjes i shpreh ngushëllimet në këto momente shumë të vështira. Nuk mund të ketë asnjë arsye për të ushtruar dhunë në familje e aq më pak për të marrë një jetë njeriu. Le të jetë kjo thirrje jo vetëm për organet e drejtësisë, por për tërë shoqërinë që të ndalet dhuna”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren tha sot se ende nuk dihet motivi i kësaj vrasjeje.

Në vendin e ngjarjes është pistoleta, dy karikatorë si dhe 15 gëzhoja të kalibrit 9 mm. Me urdhër të prokurorit, trupi i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Ndërkaq Policia ka bastisur edhe shtëpinë e të dyshuarit.

Të dyshuarit për vrasjen e Armendës i është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë./21Media