Presidenti kosovar po merr pjesë në ceremoninë e varrimit të ish-presidentit francez

Presidenti kosovar po merr pjesë në ceremoninë e varrimit të ish-presidentit francez

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi po merr pjesë në ceremoninë e varrimit të ish-presidentit të Francës, Jacques Chirac, në Francë.

I pari i Kosovës, ka thënë se Chiracu ka mbështetur aspiratën e Kosovës dhe doli kundër fushatës së gjenocidit dhe pastrimit etnik të regjimit të Millosheviqit.

Thaçi përmes një postimi në llogarinë e tij “Facebook” kujtoi çfarë thoshte Chirac në vitin 1999.

“Sjellja e autoriteteve serbe është e papranueshme. Evropa nuk mund të pranojë që në tokën e vet të mbajë një njeri dhe një regjim që afër dhjetë vjet është angazhuar në Slloveni, në Kroaci, në Bosnje dhe tash në Kosovë, në operacione të pastrimit etnik, të vrasjeve dhe masakrave, të destabilizimit të të gjithë rajonit. Me pasojë 200 mijë të vrarë dhe me miliona të zhvendosur. Sa familje të shqyera, sa qytete martire? E pra, u bë mjaftë. Çdo gjë është provuar për t’iu dhënë fund këtyre praktikave të mizorisë. Duhet që sot të ndalen ingranazhet e barbarisë dhe t’ia largojmë këtij regjimi mjetet me të cilat është pajisur për t’i kryer këto operacione. Për muaj të tërë, amerikanët, evropianët, rusët, së bashku kanë bërë përpjekje të konsiderueshme për ta gjetur një zgjidhje të ekuilibruar dhe paqësore. Kjo ndodhi në veçanti në Francë gjatë takimeve në Rambuje. Dhe përballë refuzimit kryeneç të qeverisë serbe dhe të presidentit të saj, u desh që të vendosim ta përdorim forcën”, kishte thënë asokohe presidenti Chirac.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u shpreh se populli i Kosovës është përjetësisht mirënjohës. “Prehu në paqe, President”, ka përfunduar Thaçi.

Në librin e ngushëllimeve për ish-presidentin francez që u hap sot në Prishtinë, shkruajti edhe kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj.

“Kosova do të kujtojë gjithmonë ish Presidentin frances Jacques Chirac, si një mbështetës i pashoq, i së drejtës tonë! Sot, në Ambasadën e Francës në Prishtinë, nënshkrova në Librin e Zisë, ngushëllimet më të sinqerta, familjes, popullit dhe shtetit francez, për humbjen e Presidentit Chirac”, ka thënë Haradinaj.

Jacques Chirac vdiq të enjten. Ai ishte lindur më 29 nëntor 1932. Ishte President i Republikës së Francës për 12 vjet./21Media