Thaçi nderon Clinton me çmimin “Urdhri i Lirisë”

Thaçi nderon Clinton me çmimin “Urdhri i Lirisë”

Presidenti i Republikës së Kosovës ka nderuar me çmimin “Urdhrin e Lirisë”, ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton.

Thaçi tha që nuk ka çmim që mund të shpërblejë kontributin e presidentit Clinton, sepse çmim më i madh është liria e Kosovës, por që e konsideroi si hero të vendit dhe e falënderoi në emër të gjithë qytetarëve të Kosovës. “Mbështetja e juaj dhe SHBA-ve ka qenë jetike për lirinë, pavarësinë dhe tash në rrugëtimin euroatlantik, andaj storia e Kosovës është storie e suksesit të përbashkët, ju jeni heroi ynë dhe ju falënderoj shumë shumë në emër të gjithë qytetarëve të Kosovës… Nuk ka çmim që mund të shpërblejë atë që kontribut tuajin, që dekorimi më i madh është liria e vendit  të Kosovës, që ka reflektuar me paqe dhe stabilitet në krejt Ballkanin Perëndimor.”, tha Thaçi.

 

Clinton është ftuar që të marrë pjesë në shënimin e 20 vjetorit të hyrjes së NATO-s në Kosovë dhe çlirimin e vendit nga forcat pushtuese serbe. Bill Clinton në vitin 1999 ka qenë president i SHBA-së dhe ka qenë njëri ndër personat vendimtarë për intervenimin e NATO-s në Kosovë. Në shënimin e 20 vjetorit të çlirimit në Kosovë do të qëndrojë edhe Madeleine Albright, e cila në vitin 1999 ka qenë sekretare e shtetit amerikan./21Media