Thaçi dekretoi pakon e ligjeve për reformën në drejtësi

Thaçi shpalli dekretin për tetë ligje të sektorit të drejtësisë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duke u bazuar në kompetencat e tij kushtetuese, sot ka shpallur dekretin për tetë ligje të sektorit të drejtësisë, të miratuara nga Kuvendi i Kosovës.

Presidenti Thaçi ka dekretuar pakon e ligjeve për reformën në sistemin e drejtësisë, përkatësisht Kodin Penal, Ligjin për Gjykatat, Ligjin për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, Ligjin për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, Ligjin për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë, Ligjin për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Trashëgiminë në Kosovë, si dhe Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Procedurën Jokontestimore.

Presidenti Thaçi, siç njofton presidenca, ka vlerësuar lart punën e bërë në reformimin e sektorit të sundimit të ligjit.

“Efikasiteti i sundimit të ligjit është jetik në funksionimin e demokracisë. Arsimimi, shëndetësia e politikat e punësimit nuk mund të avancohen pa qasje të shpejtë në drejtësi. Për të rinjtë, drejtësia është mundësia e vetme për të ardhme më të mirë”, ka thënë  Thaçi.

Ai ka kërkuar nga institucionet ligjzbatuese të këtij sektori, që të jetësojnë ndryshimin, duke zbatuar ligjet dhe duke mbrojtur interesin publik të qytetarëve.

“Lufta e vazhdueshme e institucioneve të Kosovës kundër korrupsionit nuk është vetëm plotësim i standardeve të kërkuara nga BE-ja, por është domosdoshmëri”, ka shtuar Thaçi.

Kreu i shtetit ka theksuar se ky është obligim që kanë marrë ndaj qytetarëve për të përmirësuar mirëqenien e tyre dhe ndaj shtetit për t’i kontribuar ndërtimit të një shteti të fortë të së drejtës./21Media

Back to top button