20 vjet nga vrasja e vëllezërve Bytyqi

20 vjet nga vrasja e vëllezërve Bytyqi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se drejtësia ndërkombëtare ka dështuar në ndëshkimin e krimeve serbe në Kosovë. Ai këto deklarata i bëri me rastin e 20 vjetorit të vrasjes së vëllezërve Bytyqi.

“U bënë 20 vjet nga vrasja e vëllezërve Bytyqi dhe përgjegjësit e këtij krimi vazhdojnë të jenë të lirë në Beograd, duke udhëhequr institucione dhe duke u dekoruar nga shteti serb. Drejtësia ndërkombëtare ka dështuar në ndëshkimin e krimeve serbe në Kosovë: të vrasësve të mbi 13 mijë civilëve shqiptarë, ndëshkimin e kriminelëve serbë që dhunuan mbi 20 mijë gra shqiptare, që vranë mbi 1300 fëmijë dhe kryen rreth 400 masakra anekënd Kosovës.”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Tutje ai ka shtuar se heshtja e drejtësisë ndërkombëtare është në shërbim të kriminelëve.

“Kriminelët serbë që i kryen këto krime, që bënë spastrim etnik, duke i larguar prej shtëpive të tyre mbi 1 milion shqiptarë, që kryen gjenocid mbi popullsinë e Kosovës, vazhdojnë të sillen lirshëm dhe janë tërësisht të amnistuar nga drejtësia ndërkombëtare. Kosova, qytetarët tanë, kërkojnë drejtësi. Heshtja ndërkombëtare përballë këtyre krimeve nuk është në shërbim të drejtësisë dhe paqes, por në shërbim të kriminelëve!”, ka përfunduar Thaçi.

Ndërkaq, kryministri i Kosovës, Ramush Haradinaj duke kujtuar rënien e vëllezërve Bytyqi  është zotuar sot se Qeveria e Kosovës nuk do të ndalet së vepruari për drejtësi.

Sa i përket vrasjes së vëllezërve Bytyqi, Ambasada Amerikane në Beograd ka kërkuar sa më shpejt që të zbardhet ky rast./21Media