Thaçi e Pacolli priten nga Princi i Monakos

Princi Albert II njoftohet për të arriturat e Kosovës

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga Zëvendëskryeministri i Parë/Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, është pritur sot nga Princi Albert II i Monakos në Pallatin Principal, të cilin e ka falënderuar për përkrahjen për Kosovën.

Presidenti Thaçi është shprehur i kënaqur me bashkëpunimin bilateral dhe me përkrahjen e Monakos për Kosovën në skenën ndërkombëtare.

“Monako ka përkrahur Kosovën, sidomos në aspiratën për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, veçanërisht në forumet sportive. Duke përkrahur Kosovën në këto forume keni ndihmuar në ndërtimin e paqes dhe pajtimit, në Kosovë dhe në rajon”, ka thënë Presidenti Thaçi në takim me Princin Albert.

Princi Albert II i Monakos është shprehur i lumtur me bashkëpunimin me Kosovën dhe ka shprehur përkrahje për perspektivën euroatlantike të Kosovës.

Presidenti Thaçi në takim e ka njoftuar Princin Albert për të arriturat e Kosovës në ndërtimin e paqes dhe në konsolidimin e shtetit të Kosovës në skenën ndërkombëtare./21Media

Back to top button