Haradinaj u shpreh i gatshëm të ballafaqohet me padinë e paralajmëruar nga Rama

Haradinaj u shpreh i gatshëm të ballafaqohet me padinë e paralajmëruar nga Rama

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj sonte foli për padinë e paralajmëruar ndaj tij nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, për shkak të një deklarate të tij për gjoja përfitimet miliardëshe për ndarje të Kosovës.

“Kemi shpërputhje në disa tema me të. Shqipëria është pjesë e pandashme e ekzistencës sonë si shqiptarë. Jam dhe mbetem kundër lëvizjes së kufijve. Kemi dallime me kryeministrin Rama. Shkëmbimi i territoreve do të kishte një pasojë të madhe financiare dhe do të kishte përfitues të atyre humbjeve, supozohet se përfituesit mund të jenë shkaktarët e këtyre ndarjeve, siç janë Thaçi, Vuçiqi e Rama. Këtë e kam thënë edhe më parë. Nuk anashkalohet fakti se rezervat minerare të Trepçës janë në veri. Kushdo që i jep këto rezerva, besoj se do të ketë ndonjë përfitim. Nuk besoj se ata ia kanë dhënë falas Vuçiqit këtë pjesë. Mund të jenë më shumë se këta dy. Kjo do të ishte humbje dhjetëra milionëshe për Kosovën”, tha Haradinaj në Interaktiv të KTV-së.

Ai tha se për është i gatshëm të ballafaqohet me padinë e paralajmëruar nga Rama.

“Çdo shtetasi të Shqipërisë do t’i përgjigjem, qoftë ai edhe kryeministri Rama. Nëse ai e vlerëson normal padinë ndaj meje, unë e pranoj. Rama ka vështirësi në menaxhimin e shumë proceseve, por shkaktar është ai vet që ka hyrë në tema të gabuara. Unë s’dua ta shoh atë në vështirësi më të mëdha, por të mos bëjë gabime tjera. Ishte rasti i sotëm me hartën, që është precedan i keq. Duhet të jemi të kujdesshëm për ndjenjat e shqiptarëve. Unë ruhem, s’dua të bëj gabime, por ato i bëj vetëm kur shoh rreziqe për Kosovën, sikurse rasti i shkëmbimit të territoreve, apo rasti i Mini-Schengenit”, theksoi Haradinaj.

Ai tha se Rama, deklarimet për padinë ndaj tij i ka vetëm për opinion dhe për “budallakitë ku ka hy”. Por, tha se ai nuk ka të drejtë të vendosë për popullin e Kosovës. Haradinaj shtoi se nuk ka komunikim privat me Ramën, ndonëse ka respekt për të./koha.net