Vazhdon dialogu Kosovë-Serbi

Vazhdon dialogu Kosovë-Serbi

Rundi i ri i dialogut ndërmjet Kosovës e Serbisë që udhëhiqet nga presidentët Hashim Thaçi e Aleksandar Vuçiqi do të mbahet të mërkurën e ardhshme, më 18 korrik, është kumtuar sot në Bruksel.

Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme e Siguri e Bashkimit Europian, Federica Mogherini ka konfirmuar se do të jetë mikpritëse e takimit të ri rreth dialogut.

“Përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme, dhe nënkryetari i Komisionit Evropian do të takohen më 18 korrik me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe atë të Serbisë, Aleksandar Vuçiq për ta vazhduar dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në njoftimin e publikuar nga zëdhënësja e Mogherinit, Maja Kocijançiq në Twitter.

Po ashtu në njoftim thuhet se Mogherini me Thaçin e Vuçiqin do të shqyrtojnë përparimin në bisedat e deritashme për normalizimin e përgjithshëm dhe planet për hapat dhe takimet e ardhshme për të siguruar që të dy palët do t’i vazhdojnë bisedat me tempo të shpejtuara.

Kujtojmë se takimi i parë i Thaçit me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq për fazën përfundimtare të dialogut Kosovë-Serbi ishte mbajtur më 24 qershor në Bruksel./21Media