Ranë heroikisht gjatë luftimit me forcat e armikut

Ranë heroikisht gjatë luftimit me forcat e armikut

Sot bëhen 30 vjet nga rënia e dy dëshmorëve të Kombit, Fahri Fazliu dhe Afrim Zhitia, nga Komuna e Podujevës.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka kujtuar veprën dhe sakrificën e Fahri Fazliut dhe Afrim Zhitisë.

“Sot u bënë 30 vjet nga rënia heroike e Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut, dy veprimtarëve të shquar të Lëvizjes sonë kombëtare për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Afrimi dhe Fahriu ishin të përkushtuar jetësisht dhe të përgatitur gjithanshmërisht për realizimin e idealeve të tyre kombëtare dhe politike”, ka shkruar Thaçi në “Facebook”.

I pari i vendit ka thënë se më 2 nëntor 1989, ata u ballafaquan me trimëri me forcat policore serbe, duke dëshmuar se në Kosovë asnjëherë nuk do të reshte veprimtaria e organizuar kundër sundimit jugosllav.

“Edhe pse rënia e Afrimit dhe Fahriut ishte humbje e madhe për Lëvizjen kombëtare, emrat e tyre u bënë simbol frymëzimi për gjeneratën tonë, e cila nuk e ndali asnjëherë veprimtarinë, duke realizuar ëndrrën e tyre, çlirimin e Kosovës”, ka shkruar tutje Thaçi.

Fahri Fazliu, u lind në vitin 1963 në Llaushë të Podujevës, ndërsa Afrim Zhitia në vitin 1965 në fshatin Llugë të Podujevës./21Media