Thaçi flet për shkuarjen Lushtakut dhe Mustafës në Hagë

“Kosova beson në pastërtinë e luftës së UÇK-së, beson në drejtësi”

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se shkuarja për intervistim e gjeneralëve të UÇK-së, Sami Lushtaku, Rrustem Mustafa, eprorëve dhe bashkëluftëtarëve të tjerë në Dhomat e Specializuara, dëshmon edhe një herë fisnikërinë dhe drejtësinë e luftës së popullit të Kosovës dhe UÇK-së.

Thaçi në llogarinë e tij “Facebook” ka shkruar se shembulli i tyre për t’iu përgjigjur ftesës së Dhomave të Specializuara dëshmon më së miri se luftëtarët e lirisë së Kosovës nuk i lëkund asnjë lloj pretendimi stigmatizues.

“Jam i vetëdijshëm se shumë padrejtësi nuk e kanë marrë përgjigjen, as nga drejtësia vendore, as nga ajo ndërkombëtare: si vrasja nga shteti serb e 13,500 civilëve shqiptarë, kryerja e 400 masakrave, dhunimi i 20 mijë grave shqiptare, mijëra shqiptarë ende të pagjetur, spastrimi etnik i mbi një milion shqiptarëve”, ka shkruar ai.

Por, i pari i shtetit tha me bindje të plotë se krimet nuk vjetrohen dhe përgjegjësit do të dalin para drejtësisë.

“Kosova beson në pastërtinë e luftës së UÇK-së, beson në drejtësi”, ka thënë Thaçi.

“Si bashkëluftëtar i juaj dhe president i vendit, kam besim të plotë në vlerat sublime për të cilat kemi luftuar. Bashkërisht i fituam shumë beteja, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Bashkërisht me krenari do t’i fitojmë edhe sfidat e radhës. Shembulli i juaj për t’iu përgjigjur ftesës së Dhomave të Specializuara dëshmon më së miri se luftëtarët e lirisë së Kosovës nuk i lëkund asnjë lloj pretendimi stigmatizues. Të gjithë të ftuarit e tjerë për intervistim edhe një herë i ftoj t’i përgjigjen pozitivisht ftesave nga Dhomat e Specializuara. Në kohën e kanosjes ekzistenciale, ju, me guximin dhe dijen tuaj, të pamundurën e bëtë të mundur, ëndrrën realitet. Ju jeni heronjtë kombëtarë të luftës, prandaj të tillë do të mbeteni gjithmonë për institucionet dhe popullin e Kosovës”, ka shkruar ai.

Kujtojmë se Rrustem Mustafa do të intervistohet nesër, më 14 janar. Ndërsa, Sami Lushtaku më 16 janar.

Ligji për Gjykatën Speciale është miratuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2015. Gjykata do të veprojë në Hagë, me prokurorë dhe gjykatës ndërkombëtarë, por me ligjet e Kosovës. Krijimi i saj ka pasuar publikimin e një raporti nga Këshilli i Evropës në vitin 2011, në të cilin thuhet se ka prova të mjaftueshme për të hetuar krimet që supozohet se i kanë kryer ish-pjesëtarë të UÇK-së kundër serbëve dhe disa shqiptarëve të dyshuar për bashkëpunim me regjimin e Beogradit, gjatë dhe para luftës. Hetimet do të përqendrohen në krimet e supozuara nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000./21Media

Back to top button