Thaçi: FSK dëshmon se si duhet integruar komunitetet

Me rastin e certifikimit të rekrutëve të FSK-së nga komunitetet jo shumicë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi sot tha se përbërja etnike e FSK-së tregon më së miri se si duhet integruar komunitetet në jetën institucionale dhe se FSK nuk dallon shumë nga ushtritë e rajonit.

Ai këto komente i bëri me rastin e certifikimit të 61 rekrutëve të FSK-së nga komunitetet jo shumicë, pas trajnimit 9 javor në Qendrën e Doktrinës dhe Stërvitjeve në Ferizaj.

Thaçi tha se si president në bashkëpunim me partnerët po punojnë për ndryshimin e mandatit të FSK-së. Kreu i shtetit theksoi se askush nuk duhet të shqetësohet për këtë proces të natyrshëm. Sipas tij FSK edhe tash nuk dallon shumë nga ushtritë e rajonit.

Ai tha se rezultatet që po i sjellin Kosovës pjesëtarët e FSK-së po i bënë krenar të gjithë dhe se përbërja etnike e FSK-së tregon më së miri se si duhet të integrohen komunitetet në jetën institucionale.

Ministri në detyrë i FSK-së, Haki Demolli tha se certifikimi i 61 rekrutëve është një hap i radhës për ngritjen profesionale të FSK-së. Demolli theksoi se rekrutët e rinj janë nga komuniteti serb dhe malazez që tregon se FSK po bëhet e dashur për të gjithë.

Ai tha se janë të vendosur ta transformojnë FSK në FAK, e cila do të jetë në shërbim të të gjithëve.

Ndryshe, me këtë rast u janë ndarë mirënjohje rekrutëve dhe rreshterëve të dalluar.

Back to top button