Rama: Asnjë pjesëtar i FSK-së nuk është i infektuar me koronavirus

Rama: Asnjë pjesëtar i FSK-së nuk është i infektuar me koronavirus

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot ka vizituar Forcën e Sigurisë së Kosovës, konkretisht Batalionin e Mjekësisë, ku për së afërmi ka parë punën e tyre.

Thaçi është shprehur i bindur se FSK ka kapacitete të larta  profesionale, mjekësore e logjistike të FSK-së, që janë shembull për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Po ashtu presidenti Thaçi ka vlerësuar se  FSK-ja është e gatshme që t’u dalë në ndihmë  insitucioneve për parandalimin e koronavirusit.

” Është e gatshme që t’i ndihmojë të gjitha institucionet që merren konkretisht me punët, edhe sa i përket preventivës dhe tejkalimit të gjendjes, pas shpërthimit të Coronavirusit. Gjithashtu, dëshiroj të falënderoj çdo ushtar, oficer, nënoficer, gjeneral, që janë angazhuar maksimalisht në këtë rrethanë të re, të rëndë, por në të njëjtën kohë sfiduese dhe sakrifikuese, por me optimizëm, me shpresë dhe besim se do ta tejkalojmë me pasoja sa më të vogla”, ka thënë  Thaçi.

Ndërsa, komandanti i FSK-së, Rrahman Rama, ka thënë se i kanë marrë të gjitha masat dhe kanë ngritur gjendjen e gatishmërisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Jemi me fat që nuk kemi asnjë prej pjesëtarëve tanë të infektuar. Jemi në kontakt me të gjithë. Unë mund të them që, po shpresoj dhe po besoj që s’kemi nevojë që t’i përdorim këto kapacitetet tona, por jemi në gjendje gatishmërie. Çdo nevojë që paraqitet edhe prej institucioneve, por edhe prej qytetarëve, ne jemi të gatshëm në çdo kohë, në çdo moment, që t’ju dalim në ndihmë”, ka thënë komandanti Rama./21Media