Thaçi fton kompanitë franceze për bashkëpunim ekonomik

Kosova është e etur për dije, punë, zhvillim dhe prosperitet

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në takimin e nivelit të lartë të Këshillit të Biznesit Francë-Kosovë “MEDEF International” në Paris ka thënë se si shtet i ri, me popullatën më të re në Evropë, Kosova është e etur për dije, punë, zhvillim dhe prosperitet, duke paraqitur një potencial të madh për investime.

Thaçi ka thënë se në Kosovë janë bërë reforma në të gjithë sektorët e jetës dhe konfirmimi më i mirë i këtyre të arriturave është nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizimit dhe Asocimit me Bashkimin Evropian, por edhe marrja e statusit të vendit kandidat për fondet e MCC-së të Kongresit Amerikan.

Kreu i shtetit ka folur edhe për ndërtimin e rrugëve dhe autostradave që lidhin Kosovën me vendet e rajonit dhe më gjerë, me kontinentin dhe me portet më të mëdha, duke shtuar tutje se është rritur vazhdimisht edhe prodhimi vendor dhe cilësia e prodhimeve.

Presidenti ka thënë se mbi të gjitha, sot Kosova është një vend që ka mbyllur kapitullin e luftës dhe është një shtet i fokusuar në zhvillim, bashkëpunim dhe integrim.

“E kemi thënë qartë që veten e shohim në NATO dhe në Bashkim Evropian. E kemi mirëpritur konfirmimin nga NATO-ja dhe BE-ja që Kosova, si dhe i tërë rajoni i Ballkanit Perëndimor, e kanë vendin në këto dy organizata”, ka thënë presidenti Thaçi.

I pari i shtetit ka theksuar se Kosova nuk është më ajo e para 20 vjetëve, por është një vend që me sukses ka tejkaluar shkatërrimet e luftës dhe është kthyer kah paqja dhe zhvillimi.

Presidenti më tutje, siç theksohet në komunikatën e presidencës është shprehur mirënjohës për shtetin francez, që ka përkrahur Kosovën në ndërtimin e paqes, në ndërtimin e shtetit dhe tash na përkrahin në ndërtimin e një të ardhme evropiane

Ai i ka ftuar kompanitë e Francës që t’i shikojnë mundësitë për të bashkëpunuar sa më shumë në fushën e ekonomisë, me interes të ndërsjellë të dy shteteve, por edhe të tërë kontinentit tonë./21Media

Back to top button