Sot 20 vjet nga zhdukja e veprimtarit Hoti

Sot 20 vjet nga zhdukja e veprimtarit Hoti

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kujtuar veprimtarin, Ukshin Hoti në 20-vjetorin e zhdukjes së tij duke thënë se shquhej për guxim intelektual, temperament autentik dhe i gatshëm për të reaguar në çdo kohë për të drejtën dhe lirinë e Kosovës.

Kreu i shtetit tha se Hoti ishte nga intelektualët e pakët që në mënyrë programatike kërkoi bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

“Ukshin Hoti ishte njeri jokonformist, i radhitur nga zëri dhe ideali i popullit që i përkiste. Në vitin 1981, si rrallëkush nga elita intelektuale, në mënyrë shkencore arsyetoi dhe mbrojti kërkesën për Republikën e Kosovës. Ukshin Hoti u dënua me burg nga gjyqet jugosllave”, ka shkruar Thaçi në “Facebook”.

Hashim Thaçi tha se Hoti shquhej për guxim intelektual, temperament autentik dhe i gatshëm për të reaguar në çdo kohë për të drejtën dhe lirinë e Kosovës.

“Ai u riburgos në periudhën më të rëndë gjatë viteve 90-të të shekullit që shkoi dhe përjetoi persekutime të mëdha burgjeve të Serbisë dhe së fundmi në Kosovë. Fatkeqësisht ende nuk dihet se ç’ndodhi me profesorin Ukshin Hoti pas lëshimit nga burgu i Dubravës më 16 maj 1999”, ka shkruar tutje presidenti i vendit.

Më 16 maj 1999, kur në Kosovë po zhvillohej lufta, Ukshin Hoti arrin te fundi i dënimit të tij politik në burgun e Dubravës, pasi u arrestua nga forcat serbe, por edhe pse doli nga burgu, ai asnjëherë nuk u kthye në shtëpi.

“Human Right Watch”, kishte shkuar në vendin e ngjarjes më 24 maj të vitit 1999 dhe vuri në dukje dëmet që i publikuan në raportin e tyre. Mirëpo, Ukshin Hoti nuk u gjet në mesin e tyre. Ai mbetet në mesin e personave të zhdukur që prej periudhës së luftës në Kosovë.

Hoti ishte veprimtar dhe intelektual i shquar politik në Kosovë./21Media