Thaçi: Franca ka qenë dhe do të jetë përkrahëse e fuqishme e Kosovës

Thaçi: Franca ka qenë dhe do të jetë përkrahëse e fuqishme e Kosovës

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi është pritur sot në pallatin Elysee nga presidenti i Francës, Emannuel Macron.

Thaçi ka thënë se Macron, me vizionin dhe dinamizmin e tij i jep shpresë tërë Evropës, përfshirë edhe vendet që aspirojnë të integrohen në BE.

“Sot, në Pallatin Elysee pata kënaqësi të pritem nga presidenti i Francës, Emannuel Macron, me të cilin zhvilluam një bisedë miqësore. Presidenti Macron, me vizionin dhe dinamizmin e tij i jep shpresë tërë Evropës, përfshirë edhe vendet që aspirojnë të integrohen në BE”, thuhet në postimin e Thaçit në Facebook.

Tutje presidenti ka thënë se në emër të Kosovës, Macronit i ka shprehur, falënderimin për mbështetjen e vazhdueshme të Francës për shtetin e Kosovës.

“Kosova është mirënjohëse për kontributin e jashtëzakonshëm të Francës për afirmimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare”, thuhet në postim.

Thaçi e ka ftuar presidentin francez që ta vizitojë Kosovën dhe po ashtu ai e ka pranuar këtë ftesë të bërë nga Thaçi.

“Me këtë rast ftova presidentin Macron për ta vizituar Kosovën. E falënderoj presidentin Macron që e pranoi dhe e konfirmoi vizitën në Kosovë. Franca ka qenë dhe do të jetë përkrahëse e fuqishme e Kosovës”, thuhet në postimin e Thaçit./21Media