Presidenti i siguron qytetarët se çdo veprim i tij do të jetë në pajtim me Kushtetutën

Presidenti i siguron qytetarët se çdo veprim i tij do të jetë në pajtim me Kushtetutën

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, nga kjo javë do t’i fillojë konsultimet me partitë politike për ndërmarrjen e hapave të mëtejmë që çojnë në tejkalimin e situatës së krijuar nga dorëheqja e Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit.

Presidenca ka njoftuar se pas dorëheqjes së kryeministrit të Republikës së Kosovës, do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në pajtim me kompetencat e përcaktuara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Mandati kushtetues i Presidentit të Republikës së Kosovës është i pacenueshëm për të siguruar respektim të parimit të ndarjes së pushteteve dhe për të ruajtur sigurinë e rendit juridik e kushtetues në vendin tonë. Për më tepër, duke u bazuar në kompetencat kushtetuese, Presidenti i Republikës së Kosovës përfaqëson unitetin e popullit dhe është garantues i funksionimit demokratik të institucioneve shtetërore. Prandaj, çdo hap që do të ndërmarrë presidenti do të jetë në përputhje vetëm me interesat e qytetarëve dhe interesat shtetërore. Presidenti i Republikës së Kosovës i siguron gjithë qytetarët se çdo veprim i tij do të jetë në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe duke filluar nga java e ardhshme do t’i fillojë konsultimet me partitë politike/koalicionet për ndërmarrjen e hapave të mëtejmë që çojnë në tejkalimin e situatës së krijuar nga dorëheqja e kryeministrit”, thuhet në njoftim.

Haradinaj më 19 korrik ka dhënë dorëheqje të nga posti i kryeministrit, pasi ishte ftuar nga Dhomat e Specializuara për tu intervistuar si i dyshuar. Ramush Haradinaj më 24 korrik për rreth 1 orë u intervistua nga prokurorët e Gjykatës Speciale./21Media