Thaçi: Kjo është madhështia e Shqipërisë

​Mbahet akademia solemne “Faleminderit Shqipëri”

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka falënderuar Shqipërinë, që e sfidoi gjenocidin e shtetit të Serbisë që ushtronte kundër popullatës në Kosovë në fushatat për spastrim etnik.

Thaçi në akademinë solemne “Faleminderit Shqipëri”, ka falënderuar Shqipërinë që hapi dyert dhe zemrat në ditët e tragjedisë së Kosovës dhe në kulmin e luftës të vitit 1998-1999.

“Kjo është madhështia e Shqipërisë, ky është atdheu me përmasa të pakufishme shpirtërore dhe solidare. Kosova përjetë i është mirënjohëse Shqipërisë. Pa Shqipërinë Kosova nuk do të ishte e lirë, e çliruar dhe e pavarur. Pavarësisht për kushteve të vështira ekonomike, mungesës së infrastrukturës, Shqipëria strehoi mbi gjysmë milionë shqiptarë të Kosovës”, tha ai.

Viti 1999 ani pse ishte një viti i tmerrshëm në historinë e re të shqiptarëve, mu këtë vit, shqiptarët kanë përjetuar një moment tejet të bukur bujarie, mikpritjeje dhe dashurie ndërvëllazërore. Ishte momenti kur Shqipëria hapi kufijtë, angazhoi institucionet dhe vuri tërë kapacitetin shtetëror, por edhe shqiptarët në tërësi hapen zemrat, shtëpitë e tyre dhe ndihmuan në shumë forma tjera, me të cilat e shprehën dashurinë, bujarinë dhe mikpritjen për bashkëkombësit e tyre nga Kosova, të cilët dëboheshin dhunshëm nga shtëpitë e tyre./21Media

Back to top button