Thaçi: Kosova nga BE-ja është e zhgënjyer, e dëshpëruar dhe e tradhtuar

Çfarë deklaroi tjetër presidenti Thaçi pas takimit me ambasadorin Grenell

Pas takimit që ka pasur sonte në Gjermani me ambasadorin e SHB-së, Richard Grenell, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se Kosova beson plotësisht në rolin udhëheqës të lidershipit të SHBA-së, Presidentit Trump, angazhimin dinamik të sekretarit Pompeo dhe rolin determinues në këtë proces të ambasadorit Grenell.

Thaçi është shprehur se pas arritjes së marrëveshjes për linjën ajrore Prishtinë-Beograd, do të ketë lëvizje në marrëveshje të reja.

“Ishte një takim jashtëzakonisht efektiv, ne do të lëvizim në marrëveshje të reja pas arritjes së marrëveshjes së linjës Prishtinë-Beograd. Do të kemi angazhime tjera për linjën hekurudhore. Do të punojmë si institucione që të arrijmë marrëveshjen finale si dy vende të pavarura”, ka shtuar Thaçi duke theksuar se Kosova do të ndërmarrë veprime që e lehtësojnë dialogun.

Presidenti ka qenë shumë kritik ndaj BE-së, pasi siç tha Kosova nga Bashkimi Evropian është e zhgënjyer, është e dëshpëruar, edhe e tradhtuar, sepse për shkak të mos unitetit të vendeve të BE-së, Kosovës nuk i është dhënë liberalizimi i vizave, edhe pse i ka plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara.

“Duhet të punojmë të gjithë së bashku një unitet politik dhe qytetar. Unë dua të shpresojnë se BE do të jetë në mbështetje të plotë të një procesi dinamik me SHBA-në, që të jenë të plotsueshëm për njëra tjetrën. Dhe theksoj se garancë e sigurt është roli udhëheqës dhe dinamik i SHBA-së dhe natyrisht mbështetja e plotë dhe unik e BE-së, sepse ne syno jmë që të jemi pjesë e BE-së, por e them hapur dhe sinqerisht se Kosova nga Bashkimi Evropian është e zhgënjyer, është e dëshpëruar, edhe e tradhtuar, sepse nuk ka ndodhur liberalizimi i vizave, ndërsa Kosova ka kryer të gjitha obligimet dhe standardet, qoftë në reformat në ekonomi, legjislacion dhe drejtësi, qoftë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ndërsa BE-së është duke i munguar veprimi politik, për shkak të mos unitetit të vendeve të BE-së. E them edhe njëherë, është jashtëzakonisht inkurajuese, angazhimi i drejtpërdrejt i SHBA-së dhe presidentit Trump në këtë proces”, tha Presidenti Thaçi.

Back to top button