Thaçi: Kosovë, urime ushtria…

Thaçi ka thënë se ushtria e Kosovës është krijuar para se shteti të fitonte lirinë dhe pavarsinë e tij

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi sot në inspektimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës ka thënë që meritë për kompetencat e ushtrisë së mirëfilltë ju shkojnë ushtarëve dhe çdo qytetari.

“Sot çdo qytetar i vendit duhet të ndjehet krenar. Sot jam në mesin tuaj, për t’ju falënderuar juve në emër të qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës. Jam sot këtu edhe për t’i uruar të gjithë qytetarët e Kosovës për ushtrinë tonë”, ka thënë Thaçi.

Presidenti gjithashtu u shpreh që zhvillimi i Ushtrisë së Kosovës është i veçantë dhe i ndryshëm nga ushtritë tjera për siç tha ai, të vetëm arsye se ushtria e Kosovës është krijuar para se shteti të fitonte lirinë dhe pavarësinë e tij.

Thaçi gjithashtu ka thënë që FSK-ja do të jetë e gjithë qytetarëve pa dallime etnike. “FSK do të jetë gjithmonë në shërbim dhe mbrojtje të gjithë qytetarëve dhe pronës së tyre pa asnjë dallim.”, ka thënë ai.

Më tutje presidenti fjalimin e ka përmbyllur duke uruar të gjithë qytetarët dhe pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës. “Kosovë, urime ushtria. Sot, ju pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, me dinjitet e krenari po e përfaqësoni Kosovën kudo nëpër botë. Rezultatet e juaja janë të shkëlqyera. Ju po arrini suksese në gara ndërkombëtare, përkrah ushtrive të vendeve më profesionale dhe më të fuqishme të botës. Me punën tuaj, me sukseset tuaja, populli ynë krenohet çdo ditë”, ka përfunduar ai.

Nesër nga ora 10:00 do të mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës ku do të hidhet në votim transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri. Në rend dite do të jetë shqyrtimi i tri projektligjeve: Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Ministrinë e Mbrojtjes, Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Ndërsa ceremonia në Ministrinë e FSK-së do të mbahet nga ora 17:00. /21Media

Back to top button