ATK shënoi 20 vjetorin e themelimit

ATK shënoi 20 vjetorin e themelimit

Administrata Tatimore e Kosovës sot shënoi 20 vjetorin e themelimit të saj. Në këtë përvjetor jubilar u vlerësua kontributi i këtij institucioni, përmirësimi i jetës së qytetarëve të vendit. Drejtori i përgjithshëm i ATK-së, Ilir Murtezaj tha se ky institucion gjatë këtyre 20 viteve  ka mbledhur mbi 4 miliardë euro tatime dhe mbi 1 miliard euro kontribute pensionale.

“Në këtë vit ATK ka krijuar sistemin elektronik, për ATK sistemi elektronik ka reduktuar koston deklarative në të njëjtën kohë për tatimpaguesit ka kursyer kohën dhe gabimet e mundshme. Tani jemi në finalizim të realizimit të objektivave për vitin 2020- 2021”, tha Murtezaj.

Ndërsa, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se Administrata Tatimore e Kosovës është ndërtuar nga zeroja dhe ka shënuar rezultate të shumta dhe më e rëndësishmja sipas tij, është se ky institucion është dashur të ndërtojë besimin e qytetarëve për mbledhjen e tatimeve për shkak të përvojës së hidhur që pati me shtetin serb.

“Sot është një ditë e veçantë që shënon 20 vjetorin të themelimit të atk-së dhe ky vendim  vuri themelet e strukturës që mundëson mbledhjen e tatimeve nga të gjithë në Kosovë.  ATK-ja është ndërtuar nga zeroja, kurse kanë arritur suksese kolosale sot, fillimisht bashkë me partnerët ndërkombëtarë është dashur të ndërtohet korniza ligjore, më e rëndësishme është dashur të ndërtohet besimi i qytetarëve duke pasur parasysh përvojën e hidhur me shtetin e kaluar serb”, u shpreh presidenti Thaçi.

Administrata Tatimore e Kosovës është themeluar më 17 janar të vitit 2000, nën drejtimin dhe administrimin e UNMIK-ut./21Media