Kosova shkëlqeu në sport falë mbështetjes së aleatëve të saj

Kosova shkëlqeu në sport falë mbështetjes së aleatëve të saj

Forumi vjetor ndërkombëtar “Paqja dhe Sporti”, ka mbledhur në Monako liderë të shumë vendeve të botës, përfshirë presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.

Duke e falënderuar princin Albert për mikpritjen, Thaçi në hapjen e këtij forumi ka folur për sukseset e shënuara nga vajzat dhe djemtë e talentuar të Kosovës në sporte të ndryshme, duke ngritur flamurin tonë në çdo cep të botës.

I pari i vendit ka përmendur Majlinda Kelmendin, e cila i solli Kosovës medaljen e artë olimpike, nga pjesëmarrja e parë e vendit tonë në Lojërat Olimpike në Rio.

Po ashtu, Thaçi ka treguar edhe për fitoret e shumta dhe lojën e mrekullueshme që Kombëtarja e Kosovës në futboll ka zhvilluar gjatë kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2020.

Kosova ka pasur rrugëtim të vështirë. Të rinjve tanë u është dashur të zhvillojnë ndeshje në baltë në vend të fushave të gjelbra, ta heqin baltën në lumë në vend të dushit dhe të ikin e të fshihen nga policia serbe. Falë mbështetjes së miqve dhe aleatëve tanë sot ne garojmë në arenën ndërkombëtare. Kosova sot qëndron pas vlerave që promovon sporti, lojës ferr, barazisë, miqësisë e paqes. Sot, ne jemi të përkushtuar ndaj paqes me qëllim që kurrë më të mos ketë luftë, por të garojmë me njëri-tjetrin në paqe”, deklaroi presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit ka shtuar se sporti ka fuqi t’i bashkojë njerëzit kur politika nuk ka mundur ta arrijë një gjë të tillë dhe ka uruar që këto mesazhe t’i përcillen gjeneratave të ardhshme që të jetojnë me vlera demokratike, paqe dhe tolerancë./21Media