Presidenti Thaçi flet për takimin e nesërm me Vuçiqin

Presidenti Thaçi flet për takimin e nesërm me Vuçiqin

Të enjten në Bruksel vazhdojnë bisedimet Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Ky është takimi i katërt i fazës finale për arritjen e marrëveshjes mes dy vendeve. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një intervistë për kp e konfirmon takimin dhe shpjegon se çfarë pret nga ky takim.

Si gjithmonë, e quan takim të vështirë, e duke folur për presidentin serb, Aleksander Vuçiq ai tha se më me dëshirë do të dialogonte më një dreq sesa me të.

“Një marrëveshje kjo e përgjithshme, që nënkupton njohje reciproke, marrëveshje me obligim ligjor në rrafshin ndërkombëtar. Shpresoj se ky proces do të përmbyllet me marrëveshje e cila nënkupton definitivisht njohjen reciproke dhe mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në OKB, që do të hapet mundësia e njohjes së Kosovës nga 5 vendet e BE-së dhe hapja e sigurt e perspektivës evropiane edhe për Kosovën edhe për Serbinë”, tha ai për kp.

Ai ka bërë thirrje te i gjithë spektri politik për një vendimmarrje më të shpejt për përfaqësim politik me bazë më të gjerë politike.

“Pres që do të jetë një takim i vështirë, i rëndë, sepse homologu im nga Serbia është një bashkëbisedues i vështirë, i komplikuar e ne të njëjtën kohë edhe i ngarkuar. Mund të them se dëshirën më të madhe do të isha uluar me një dreq në tavolinë për të biseduar, sesa më Aleksander Vuçiqin, sepse ai me tërë potencialin e tij, tërë arsenalin shtetëror të Serbisë, po punon për shpërbërjen e e Kosovës si shtet por edhe dëmtimin e institucioneve të Kosovës. Natyrisht që unë do e përballojë, por nuk është e mjaftueshme përballimi i Serbisë, është me rëndësi që i gjithë spektri politik të kyçet në këtë proces, të nxirret sa më shpejt ajo platformë e Kuvendit të Kosovës, të bëhet ekipa e përbashkët e Kosovës, të jemi të gjithë së bashku ën tavolinë dhe të fitojmë këtë proces”, tha ai.

Presidenti i Kosovës nuk pret që nesër të arrihet një marrëveshje. Sipas tij finalizimin e saj do e mbyll i gjithë spektri politik.

“Pres një dinamizim të këtij procesi final, por natyrisht se finalizimin do ta mbyllim i gjithë spektri politik dhe gjithë institucionet e Republikës së Kosovës”, deklaroi ai.

Thaçi është pyetur edhe për vendimin e Qeverisë për masën 10% të importeve nga Serbia, ndërkohë garanton rrugë të sigurt euroatlantike për Kosovën nëse arrihet marrëveshja, pra njohja reciproke.

Thotë se secili institucion merr vendime dhe merr edhe përgjegjësitë që dalin prej

“Pushtetet janë të ndara në Kosovë, nuk komentoj opinionet e as vendimet e institucioneve tjera. Secili institucion merr vendime merr përgjegjësitë dhe në të njëjtën kohë autoritetin e vet për atë vendimmarrje”, tha ai.

Ndërkohë takimi në Bruksel do zhvillohet para atij që do të jetë në Paris, ku të dy presidentët kanë pranuar ftesën e presidentit të Francës, Emanuel Macron me rastin e 100 vjetorin të armëpushimit të parë të luftës së parë botërore.Thaçi tregon se çfarë pritet të ndodh edhe atje.

“Parisi do të jetë një mundësi shtesë, ku do të jenë të gjithë liderët botëror aty, për një inkurajim më të fuqishëm ndërkombëtar gjithë botëror, për domosdoshmërinë e arritjen e marrëveshjes paqësore Kosovë-Serbi. Një marrëveshje kjo që do të mirëpritet dhe mbështetet fuqishëm nga gjithë akterët botëror e në veçanti rëndësia e kësaj marrëveshje dhe domosdoshmëria e arritjes së saj, rritet edhe më tepër pas arritjes së marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë për emrin, me gjithë kritikat ndaj saj dhe skepticizëm, por Maqedonia sot po lëviz drejt NATO-s, ne nuk kohë për të humbur, duhet tejkaluar këtë konflikt të ngrirë dhe të lëvizim para me një dinamik dhe trend evropian”, deklaroi ai./kp