Thaçi në 12-vjetorin e Pavarësisë: Kosova faktor i stabilitetit në rajon

Thaçi ka uruar 12-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Në 12 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, presidenti i vendit, Hashim Thaçi duke uruar qytetarët ka përshkruar vështirësitë dhe sakrificat për të arritur deri të shpallja e Kosovës shtet.

“Në fund të shekullit të njëzet populli ynë me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe me përkrahjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të shteteve të Europës, tërë botës demokratike e liridashëse, me intervenimin e NATO-s u çlirua përfundimisht nga okupimi dhe represioni i Serbisë. Brenda një periudhe tranzicioni, në bashkërendim me miqtë ndërkombëtarë, Kosova shpalli Pavarësinë dhe brenda një kohe të shkurtër u njoh nga shtetet më të fuqishme të botës, nga demokracitë më të avancuara të globit”, ka shkruar Thaçi në “Facebook”.

Sipas të parit të vendit, gjatë këtyre 12 viteve Kosova ka shënuar të arritura të mëdha në rrafshin nacional, në konsolidimin e institucioneve, përparimin ekonomik, në kultivimin e marrëdhënieve të mira ndëretnike dhe funksionimin e shtetit ligjor.

Thaçi ka thënë se në planin e jashtëm Kosova ka luajtur dhe luan rol paqësor, duke qenë faktor i stabiliteti në rajon.

Presidenti u shpreh se Kosova ka gatishmëri që të jap kontributin e saj në arritjen e normalizimit të marrëdhënieve me shtetin e Serbisë, përmes ndërmjetësimit të BE-së dhe ndihmës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kreu i shtetit ka thënë se edhe në këtë përvjetor, Kosova shpreh falënderimet e thella dhe mirënjohje për shtetet mike.

“Kosova nuk harron kurrë sakrificën e mijëra dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, invalidëve, të mijëra martirëve dhe të qytetarëve që u sakrifikuan për lirinë dhe Pavarësinë e saj. Kosova ka hyrë në dekadën e dytë të pavarësisë me besim, shpresë dhe bindje për një ardhmëri më të mirë dhe më të sigurt. Qytetarë të Kosovës, Urime 12 vjetori i Pavarësisë!”, ka shkruar Thaçi./21Media

Back to top button