Thaçi: Nga dje Kosova frymon lirshëm

Sipas Thaçit, mesazhet e Trumpit duhet të lexohen e kuptohen mirë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një deklaratë para takimit në Bruksel të liderëve të Ballkanit Perëndimor u shpreh se mesazhi i djeshëm i presidentit të ShBA-së, Donald Trump është qëndrim shumë i qartë me mbështetje unike.

Trump kërkoi nga presidenti Thaçi dhe liderët e Kosovës që të shfrytëzohet ky moment unik, që të flasin me një zë, me qëllim të arritjes së marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbinë.

Thaçi u shpreh se dëshiron të besojë që populli i Kosovës edhe kësaj radhe do të reflektojë sepse siç tha ShBA është pranë Kosovës. Presidenti tha se mesazhet e Trumpit duhet të lexohen e kuptohen mirë dhe se Kosova nuk ka aleat më të mirë se SHBA-të.

Thaçi duke folur për dialogun Kosovë-Serbi tha se marrëveshja ndërmjet dy vendeve do të sjell frymë evropiane në rajonin tonë. Në këtë dialog, presidenti u shpreh se roli i tij do të jetë i fuqishëm dhe ligjor, duke shtuar se e mbështet ekipin e Kosovës, që do të marrë pjesë në dialog.

“Nga dje Kosova frymon me lirshëm se ka qëndrimin e ShBA-së. ShBA-të janë të interesuara dhe po punojnë për interesin e Kosovës”, tha Thaçi ndër të tjerash.

Ai më tutje tha se shpreson që në javët e ardhshme të arrihet marrëveshja finale për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë.

Presidenti më tutje foli edhe për liberalizimin e vizave për Kosovën, me ç’rast tha se mos-heqja e vizave për Kosovën është e padrejtë. “Liberalizimi i vizave është diçka që askush nuk do të mund t’i ikë nxjerrjes së këtij vendimi. Theksoj është padrejtësi shtyrja e mëtutjeshme”, ka thënë presidenti Thaçi. Sipas tij, është shumë me rëndësi që ne kemi kryer të gjitha detyrat, bile kemi kryer më tepër se të gjitha vendet tjera të Ballkanit Perëndimorë kur kanë kaluar proceset e liberalizimit të vizave.

Ndryshe, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi sot do të marrë pjesë në takimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor. Në këtë takim që do të mbahet sot, përveç presidentit Thaçi, pritet të marrin pjesë edhe Presidenti i Malit të Zi, Presidenti i Serbisë, Kryeministri i Shqipërisë, Kryeministri i Maqedonisë dhe ai Bosnje e Hercegovinës. Liderët e Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, do të diskutojnë për progresin e bërë gjatë këtij viti dhe për zhvillimet aktuale politike në rajonin tonë./ 21Media

Back to top button