Presidenti kujton Çettën

Presidenti kujton Çettën

Sot bëhen 24 vjet qe nga vdekja e njeriut të urtë Anton Çetta.

Në këtë përvjetor, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka kujtuar Anton Çettën si një njëri të urtë që hyri në historinë e re të Kosovës.

“Para 24 viteve vdiq albanologu, humanisti i shquar dhe njeriu i urtë Anton Çetta, që hyri në historinë e re të Kosovës si pajtues i gjaqeve dhe mbledhës i thesarit të çmuar të trashëgimisë sonë folklorike”, ka shkruar Thaçi në “Facebook”.

Përmes këtij shkrimi i pari i vendit kujtoi kontributin e albanologut të njohur.

“Në vitet më të rënda të dekadës së fundit të shekullit që shkoi, Anton Çetta dha kontribut të gjerë humanitar dhe kombëtar, duke pajtuar mijëra raste të gjakmarrjes. Më pas, Kosova shkoi drejt luftës çlirimtare me një plagë socialpsikologjike më pak, falënderuar urtësisë së këtij burri dhe dhjetëra aktivistëve tjerë, që e shoqëruan atë anembanë Kosovës”, ka përfunduar Thaçi.

Anton Çetta u lind në vitin 1920 në Gjakovë. Ai mbaroi shkollën fillore në vendlindje, ndërsa të mesmen në Tiranë dhe Korçë. Studimet i mbaroi në Universitetin e Beogradit, ku diplomoi në gjuhë dhe kulturë romane.

Në zgjedhjet e para paralele të organizuara më 1992, Anton Çetta ishte zgjedhur deputet në Parlamentin e Republikës së Kosovës nga radhët e LDK-së. Çetta vdiq në vitin 1995 në Prishtinë./21Media