Thaçi në mbrojtje të Veselit

Thaçi në mbrojtje të Veselit

Lideri i PDK-së, Kadri Veseli është ftuar nga Gjykata Speciale. Siç ka bërë të ditur vetë ai, Veseli do të paraqitet në Speciale me 4 dhjetor të këtij viti.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi është shprehur i bindur se Veseli por edhe të ftuarit e tjerë kanë qenë të moralshëm në luftë.

Kam pasur nderin e madh që për lirinë e Kosovës që nga fillimi të rrugëtoj vazhdimisht me Kadriun dhe në çdo hap jam ndjerë krenar me punën dhe angazhimin e tij të pa shoq, tash e tri dekada. Nuk ka asnjë dyshim se zoti Veseli si edhe dhjetëra ish luftëtarë të UÇK-së, që tashmë janë ftuar nga Dhomat e Specializuara, ka pasur moralin më të lartë patriotik, politik dhe ushtarak.”, ka deklaruar Thaçi.

Ai tutje ka thënë se nuk ka gjykatë që mund ta ndryshojë historinë e luftës së UÇK-së.

“Nuk ka gjykatë, as tendencë dhe as fabrikim që mund ta njollosë zotin Veseli dhe luftën e tij për çlirim. Nuk ka gjykatë, as vendore as ndërkombëtare që mund ta njollosë luftën e pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ballafaqimi me këto pretendime do ta vulosë përgjithmonë dinjitetin e UÇK-së dhe do t’i diskreditojë e nihilizojë përgjithmonë fabrikimet në dëm të saj. Nuk ka gjykatë, as vendore as ndërkombëtare ,që do të mund ta rishkruaj historinë, dhe të barazojë viktimën me agresorin.”, ka thënë ai.

Ftesë nga Gjykata Speciale ka marrë edhe Ramush Haradinaj në muajin korrik të këtij viti kur ishte kryeministër. Për shkak të kësaj ftese ai pat dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit. Haradinaj është intervistuar po ashtu në muajin korrik. Dorëheqja e tij ka ndikuar që në Kosovë të zhvillohen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të cilat janë mbajtur me 6 tetor 2019.

Gjykata Speciale është përgjegjëse për hetimin e krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe krimeve tjera penale në lidhje me akuzat nga Raporti i Këshillit të Evropës i vitit 2011, ku flitet për krimet e pretenduara se i kanë bërë pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në periudhën prej vitit 1998 e deri në vitin 2000./21Media