“Kemi punuar bashkë që të ndërtojmë platformë për ekonomi dhe për Kosovën"

“Kemi punuar bashkë që të ndërtojmë platformë për ekonomi dhe për Kosovën”

Presidenti Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në panairin e prodhimeve vendore dhe forumin ekonomik “10 Vjetori i Pavarësisë Ekonomike të Kosovës”, të organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës.

Thaçi theksoi se bizneset janë ballafaquar me shumë sfida para luftës dhe asnjëherë nuk u dorëzuan.

Sipas tij, në dekadën e parë shteti ka shënuar hapa të rëndësishëm në shumë fusha, në aspektin politik e ndërkombëtar, për ekonomi, sport e kulturë.

“Kemi punuar bashkë që të ndërtojmë platformë për ekonomi dhe për Kosovën. Jemi bërë shtet qe dhjetë vjet duhet që në Kosovë të mbizotërojnë produktet Made in Kosovo”, ka thënë Thaçi.

Berat Rukiqi këshilltar strategjik në Odën Ekonomike të Kosovës ka thënë se në këto dhjetë vjet Kosova ka dëshmuar në aspektin ekonomik një trend pozitiv me një stabilitet ekonomik dhe politik.

Mirëpo,  tha se në dhjetë vitet e ardhshme Kosova duhet të forcojë sektorin privat me prodhimet vendore.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Qemal Minxhozi, me këtë rast tha se kjo ditë është emocionuese për të gjithë prodhuesit e Kosovës.

Ai tha se tregu i gjithë Shqipërisë dhe Kosovës çdo ditë po fuqizohet, dhe ka një ide për një treg të përbashkët që duhet të ndodhë. Në këtë eveniment Thaçi ka ndarë edhe mirënjohje për disa nga kompanitë e Kosovës.