Thaçi: Pavarësisht diskutimeve në OKB, Ushtria proces i pakthyeshëm

Deklarata e Thaçit para nisjes për në New York

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi sot deklaroi se themelimi i Ushtrisë së Kosovës pavarësisht diskutimeve që do të ndodhin në Këshillin e Sigurimit, është proces i pakthyeshëm, duke shtuar se kjo ushtri vetëm se do të forcohet. Këto deklarata i pari i vendit i bëri në një konferencë për medie para nisjes për në New York, ku do të marrë pjesë në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit në të cilën do të diskutohet për ushtrinë e Kosovës.

“Do të udhëtoj në New York ku është mbledhur seancë urgjente në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Kosovën pas themelimit të Ushtrisë së Kosovës. Vendimi i institucioneve të Kosovës për themelim të ushtrisë është një vendim historik i drejtë, në përputhshmëri me vullnetin e qytetarëve të të gjitha etnive, në përputhshmëri me mandatin kushtetues”, tha Thaçi.

Ai theksoi se themelimi i ushtrisë pavarësisht prej shqetësimeve është një proces i pakthyeshëm dhe sipas tij vetëm do të shënojë progres e do të fuqizohet, shkruan rtv21.tv.

“Nëse Serbia është zemëruar me themelimin e ushtrisë së Kosovës, qytetarë serb të Kosovës ndihen komod, rehat…”, shtoi presidenti.

I pari i vendit përmendi edhe votimin e rezolutës për dialog, duke thënë se ky dialog do të jetë final me mundësi për marrëveshje të përhershme që do të rezultojë me njohje reciproke. “Në këtë fazë vendimi i djeshëm ajo ekipë e gjerë politik së bashku me bartësit e institucioneve nën udhëheqjen e BE mbështetje të SHBA do t’ia dalim me sukses do të mbyllim kapitullin e errët që ka sjell gjenicid, spastrim etnik”, u shpreh tutje Thaçi/21Media

Back to top button