Thaçi: Përpjekjet e Isa Boletinit frymëzim për brezat e rinj

Sipas Thaçit bashkimi kombëtar ishte porosia që na e la Isa Boletini

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi në 103 vjetorin e vdekjes së heroit kombëtar, Isa Boletinit ka kujtuar veprat e tij të shumta atdhetare. Sipas, Thaçit përpjekjet e tij për çlirimin e trojeve etnike janë ende frymëzim për brezat e rinj.

“U bënë 103 vjet nga vrasja e Isa Boletinit, njërit prej udhëheqësve kryesorë të kryengritjeve shqiptare. Bashkimi kombëtar dhe fuqizimi i kombit tonë ishte porosia që na e la Isa Boletini. Përpjekjet e tij një shekull më parë për çlirimin e trojeve etnike përbëjnë ende frymëzim për shumë breza të rinj dhe amaneti i Isa Boletinit dhe patriotëve të tjerë, që dhanë jetën për bashkimin e shqiptarëve, na obligon edhe sot që të punojmë pareshtur për përmbushjen e aspiratave tona”, ka shkruar Thaçi në postimin e tij të bërë në Facebook.

Isa Boletini kishte udhëhequr forcat kryengritëse për çlirim nga pushtuesi Osman dhe në vitin 1912 ishte ndodhur përkrah, Ismail Qemalit në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, e cila ishte copëtuar në Konferencën e Londrës më 1913. Më 23 janar të vitit 1916 ishte vrarë pabesisht nga shovinistët malazezë në Podgoricë, së bashku me të bijtë Halilin dhe Zahidin, nipërit Jonuzin dhe Halitin, si dhe tre luftëtarë të tjerë./21Media 

Back to top button