Thaçi: Rexhepi dhe Nuhiu, shembull i unitetit

36 vjet nga rënia e dëshmorëve Rexhep Mala e Nuhi Berisha

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në 36 vjetorin e rënies së dy veprimtarë të shquar të lëvizjes kombëtare, Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, ka thënë se ata ranë heroikisht në përballje me forcat policore jugosllave, duke dëshmuar vendosmërinë supreme për arritjen e idealit të tyre jetësor, çlirimin e Kosovës.

Thaçi ka shkruar në “Facebook” se Rexhepi dhe Nuhiu ishin shembull i unitetit të qëllimit të gjeneratave të ndryshme në moshë, por që gjithçka vunë në shërbim të atdheut.

Edhe kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj ka kujtuar Rexhep Malën e Nuhi Berishën duke thënë se ishin arkitektët e rrugës për çlirim.

“Vite e shekuj do të kalojnë, e vepra e tyre atdhetare, do të përkujtohet me respektin më të madh nga secili shqiptarë. Në 36 vjetorin e rënies së tyre heroike, ne nderojmë aktivitetin e tyre për liri, shpirtin e tyre militant e liridashës, vendosmërinë dhe qëndrimin e tyre deri në frymën e fundit”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.

Ndërmjet 11 e 12 janarit të vitit 1984, Rexhep Mala e Nuhi Berisha ranë heroikisht gjatë përleshjes me forcat policore serbe në Kodrën e Trimave në Prishtinë.

Me prejardhje nga Komuna e Kamenicës, si student me iniciativën e Rexhep Malës dhe të bashkëveprimtarëve të tjerë formohet Komiteti i Studentëve në kuadër të Grupit Revolucionar, i cili do t’i shërbejë Lëvizjes çlirimtare të shqiptarëve si bërthamë e parë për lëvizën e pranverës studentore të viti 1981./21Media

Back to top button