Shënohet 21 vjetori i rënies së Ismet Jasharit

Shënohet 21 vjetori i rënies së Ismet Jasharit

Në 21 vjetorin e rënies, së Ismet Jasharit – komandant “Kumanovës” e ka kujtuar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Ai tha se Jashari ishte njëri nga luftëtarët më të mëdhenj të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Sakrifica e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës është dëshmia më e mirë e vlerave kombëtare të luftës sonë, së cilës iu bashkuan luftëtarë nga të gjitha trojet shqiptare”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e tij “Facebook”.

Edhe kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj në 21 vjetorin e rënies së Ismet Jasharit ka kujtuar ardhjen e tij nga Kumanova për ta mbështetur lirinë dhe çlirimin e Kosovës.

Ismeti ishte ndër të parët që mori pjesë në themelimin e fondit “Vendlindja thërret”. Ky fond u bë bazë kryesore e logjistikës dhe e financimit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në mëngjesin e hershëm të 25 gushtit të vitit 1998, Ismet Jashari kishte kundërsulmuar befasishëm, në përpjekje për t’i marrë trupat e ushtarëve të rënë. Pas disa orë luftimesh në një distancë të afërt, në altarin e atdheut, në Luzhnicë, bie trimi ndër më të dalluarit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Jashari – Komandant Kumanova. Në altarin e atdheut kishin rënë edhe Nuhi Mazreku dhe Habib Zogaj.

Sot trupi i dëshmorit Ismet Jashari prehet në kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Kleçkë, ku pushojnë edhe trupat e 66 dëshmorëve të tjerë, të Brigadës 121, Ismet Jashari-Kumanova./21Media