Ngushëllime ka shprehur edhe kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj

Ngushëllime ka shprehur edhe kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj

Presidenti i Kosovë, Hashim Thaçi ka shprehur ngushëllime për familjen e vëllëzërve kosovarë që humbën jetën në si pasojë e shembjes së një hoteli në Durrës pas tërmetit të sotëm.

Thaçi ka deklaruar se solidarë është me të gjitha familjet në Shqipëri, që humbën familjarët e tyre.

“Familjes Abazi nga Livoçi i Gjilanit i shpreh ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e dy vëllezërve: Shemsedinit dhe Isës si pasojë e tërmetit që ndodhi sot në mëngjes. Sot jemi solidarë dhe ndajmë dhembjen me të gjitha familjet në Shqipëri, që humbën familjarët e tyre të shtrenjtë”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Për familjen Abazi që humbi dy djemë pas tërmetit në Durrës ngushëllime ka shprehur edhe kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj .

Haradinaj ka thënë se me mendje dhe lutje sot është me familjet e të vdekurve dhe të humburve pas fatkeqësisë së sotme që e ka goditur Shqipërinë

“Me mendje dhe në lutje jam sot me familjet e të vdekurve dhe të humburve pas valës së tërmeteve në Republikën e Shqipërisë. Sapo u njoftova se në mesin e viktimave janë edhe dy vëllezër nga Livoçi i Gjilanit, Shemsedin dhe Isa Abazi. Ngushëllimet më të thella familjes Abazi dhe të gjitha familjeve shqiptare që humbën më të dashurit e tyre në këtë tragjedi”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Lajmin për vdekjen e vëllëzërve kosovarë pas tërmetit në Shqipëri për portalin Rtv21.tv e ka konfirmuar Ambasadori i Kosovës në Tiranë, Nait Hasani.

21 persona kanë vdekur, ndërsa shumë të tjerë kanë mbetur të lënduar nga tërmeti që goditi sot Shqipërinë. /21Media