Thaçi: Shqiptarët ndjehen krenarë për shpëtimin e hebrenjve

Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi duke kujtuar një prej tmerreve më të mëdha në historinë e njerëzimit, Holokaustin, që mori jetët e miliona civilëve vetëm për shkak të përkatësisë së tyre etnike, ka thënë se botës i janë dashur dekada të tëra që të përballet me peshën e krimeve të Holokaustit dhe me përgjegjësinë e atyre që nuk e ndaluan një tragjedi të tillë.

“I kujtojmë dhimbjet që i mësuam nga dëshmitarët, duke u munduar të nxjerrim mësime rreth shkaktarëve të kësaj mizorie, për të mos lejuar që të përsëritet më për asnjë popull. Botës i janë dashur dekada të tëra që të përballet me peshën e krimeve të Holokaustit dhe me përgjegjësinë e atyre që nuk e ndaluan një tragjedi të tillë. Prandaj angazhohemi për barazi, sundim të ligjit, liri dhe të drejta të barabarta për të gjithë. Si shqiptarë, ndjehemi krenarë me rolin që kemi luajtur në shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore”, ka shkruar Thaçi në “Facebook”.

Asambleja e Përgjithshme OKB-së caktoi 27 janarin si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, datë e cila përkon me përvjetorin e çlirimit të kampeve të vdekjes Auschvitz-Birkenau në vitin 1945.

Një rol të rëndësishëm për të shpëtuar hebrenjtë, e kanë luajtur shqiptarët, të cilët në familjet e tyre kanë strehuar shumë hebrenj që kishin ikur nga vendet tjera, apo jetonin në Kosovë dhe Shqipëri./21Media

Back to top button