“Nuk do të ndalemi deri në zbardhjen e fatit të çdo të pagjeturi në Kosovë"

“Nuk do të ndalemi deri në zbardhjen e fatit të çdo të pagjeturi në Kosovë”

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Pagjeturve, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka kujtuar të gjithë të pagjeturit duke thënë s’mund të ketë paqe pa u ndriçuar fati i të pagjeturve dhe pa dhënë përgjegjësi kryesit e krimeve.

“Në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Pagjetur kujtojmë vajzat e djemtë, nënat e baballarët, motrat e vëllezërit dhe çdo të dashur tonë, fati i të cilëve ende nuk është zbardhur që nga lufta në Kosovë. Zbardhja e fatit të të pagjeturve është jetike për familjet tona dhe për Republikën e Kosovës, për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen tonë”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e tij “Facebook”.

Në këtë ditë ndërkombëtare presidenti i vendit ka kërkuar nga institucionet ndërkombëtare që të bëjnë më shumë për ndriçimin e fatit të të pagjeturve.

I pari i Kosovës ka thënë se nuk mund të ketë paqe pa e zbardhur të vërtetën e fatit të tyre dhe pa dhënë përgjegjësi kryesit e krimeve.

“Nuk do të ndalemi deri në zbardhjen e fatit të çdo të pagjeturi në Kosovë! As ne dhe as bashkësia ndërkombëtare nuk mund të lejojmë që gjenocidi serb në Kosovë të harrohet dhe të kalojë i pandëshkuar”, ka shkruar ai tutje.

20 vjet pas përfundimit të luftës ende nuk dihet për fatin e 1 mijë e 653 personve të pagjetur./21Media