Thaçi: Sulmi ndaj Çitakut përpjekje për të dëmtuar imazhin e Kosovës

”Keqpërdorimi i lirisë së shprehjes, i shoqëruar me dhunë automatikisht shndërrohet në një akt të shëmtuar dhe të dënueshëm

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar pas sulmit të bërë ndaj ambasadores së Kosovës në SHBA, Vlora Çitakut, e cila mbrëmë u sulmua me vezë.

Thaçi përmes një postimi është shprehur se e drejta e fjalës së lirë nuk duhet të keqpërdoret sidomos ndaj një zyrtari të institucioneve të Kosovës.

”Shprehja e lirë e fjalës dhe mendimit është vlerë fundamentale e demokracisë, e cila respektohet nga të gjithë ne. Kjo e drejtë nuk duhet të keqpërdoret nga askush, duke cenuar integritetin personal të askujt, aq më tepër të një zyrtari shtetëror të institucioneve të Republikës së Kosovës. Keqpërdorimi i lirisë së shprehjes, i shoqëruar me dhunë automatikisht shndërrohet në një akt të shëmtuar dhe të dënueshëm, si ai idjeshmi ndaj ambasadores së Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku”, ka shkruar Thaçi në facebook.

Sipas tij, fyerja dhe sulmi ndaj ambasadores Çitaku ishte edhe një tjetër përpjekje e ulët e radhës për të dëmtuar imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

”Nxitësit dhe ekzekutuesit e veprimeve të tilla të shëmtuara, duhet të ndjehen të turpëruar”, është shprehur më tutje Thaçi.

Sulmin ndaj saj e ka komentuar edhe vetë Çitaku.

“Vezët nuk e kanë vrarë kurrë askënd. Po fjalët vrasin.  Sigurisht që ndjehem e lënduar nga ato fjalë të rënda, dhe nga ato shpifje pa krip. Është krejt normale të kemi mospajtime, por ato duhet të mbesin në nivelin e debatit, e asnjëhere në sulm e shpifje ndaj tjetrit” ka shkruar nder tjerash Vlora Çitaku në facebook pas këtij incidenti. / 21Media

Back to top button