Thaçi: Kosova është e gatshme për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë

Thaçi: Kosova është e gatshme për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur ambasadorët e vendeve të Kuintit, ambasadorin Delawie të SHBA-së, ambasadorin O’Connell të Britanisë së Madhe, ambasadorin Chabert të Francës, ambasadorin Sardi të Italisë, zëvendësambasadorin Voss të Gjermanisë dhe shefen e Zyrës së BE-së, Natalyia Apostolova.

Thaçi i ka njoftuar ambasadorët se e ka pranuar ftesën e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini, për takimin e ri në Bruksel, të dielën më 24 qershor.

Përfaqësuesit e shteteve të Kuintit rikonfirmuan përkrahjen e tyre për fillimin e fazës përfundimtare të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve në mes dy shteteve, thuhet në njoftimin e dërguar nga presidenca.

“Kosova është e gatshme për dialog dhe për normalizim të marrëdhënieve”, është shprehur Thaçi, duke theksuar nevojën e një përfshirjeje sa më të gjerë të partive politike, shoqërisë civile dhe mediave.

Ndryshe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi të dielën do të takohet me homologun tij serb, Aleksandar Vuçiq në Bruksel, me ftesë të shefes së diplomacisë së Bashkimit Evropian, Federica Mogherini./21Media

Thaçi konfirmon takimin me Vuçiqin