Thaçi: Tani është momenti t’i respektojmë këshillat miqësore amerikane

“Teket personale të asnjë lideri shtetëror nuk guxojnë të lëndojnë interesin tonë shtetëror dhe atë strategjik të SHBA-së për Kosovën e më gjerë”

Pas kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për pezullim të taksës 100% ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar duke u shprehur se tani është momenti t’i respektojmë këshillat miqësore amerikane.

Miqësia e Kosovës me SHBA-në, sipas Thaçit është e përhershme, mirëpo përkrahja amerikane nuk mund të konsiderohet e pakushtëzuar në rast se ne bëjmë gabime që i vënë në pikëpyetje interesat dhe vlerat amerikane në Kosovë, rajon dhe Evropë.

“Zhvillimet aktuale dhe disa nga veprimet e institucioneve shtetërore janë duke u përcjellë me shqetësim nga qeveria amerikane. Kjo situatë është për keqardhje. Prandaj, tani është momenti t’i respektojmë këshillat miqësore amerikane, të cilat synojnë fuqizimin e shtetit të Kosovës dhe pacifikimin e rajonit. Teket personale të asnjë lideri shtetëror nuk guxojnë të lëndojnë interesin tonë shtetëror dhe atë strategjik të SHBA-së për Kosovën e më gjerë. Veprimet populiste nuk guxojnë të cenojnë vizionin dhe vendimet strategjike të Kosovës”, ka shkruar Thaçi në “Facebook”.

I pari i shtetit ka shtuar se cenimi i raporteve me SHBA-në, i kësaj aleance të shenjtë, paraqet fillimin e cenimit të shtetit tonë.

“As arroganca e treguar në raport me Bashkimin Evropian nuk e nderon shtetin dhe as nuk i bënë krenarë aleatët tanë dhe SHBA-në. Aleanca e Kosovës me SHBA-në peshon më shumë dhe është më e rëndësishme se interesi i kujtdo qoftë”, ka shtuar më tutje Thaçit.

Megjithatë, Thaçi është shprehur se duhet të jemi krenarë për lirinë që e gëzojmë dhe për ndërtimin e shtetit tonë. “Jo shumë vite më parë, kjo ishte vetëm një ëndërr e largët. Tani është realitet i përjetshëm”, ka shtuar Thaçi.

Sipas Presidentit Thaçi  suksesi ynë historik do të ishte i pamundur pa ndihmën e SHBA-së dhe aleatëve tjerë perëndimorë. “Prandaj, duhet të jemi mirënjohës përgjithmonë”, porositi ai.

Kosova ka vendosur masën 100% ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës më 21 nëntor, ndërsa më 28 dhjetor të vitit 2018, kjo taksë ka hyrë në fuqi edhe për brendet ndërkombëtare që importohen nga këto dy shtete./21Media

Back to top button