Shpreh nevojën për formimin sa më të shpejt të Qeverisë

Shpreh nevojën për formimin sa më të shpejt të Qeverisë

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka uruar qytetarët e Kosovës për zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit që ai i ka quajtur shembullore.

Sipas tij Kosova dëshmoi edhe njëherë pjekuri të lartë politike dhe demokratike.

“I uroj qytetarët e Republikës së Kosovës dhe partitë politike për zgjedhjet shembullore, për votimin e dinjitetshëm, të lirë dhe demokratik. Kosova dëshmoi edhe një herë pjekuri të lartë politike dhe demokratike. Tash të njëjtën pjekuri politike duhet ta tregojmë edhe në formimin e qeverisë së re, sa më parë dhe në përballje me sfidat e menjëhershme që e presin Kosovën”, ka thënë Thaçi përmes një shkrimi në “Facebook”.

Rezultati i fundit nga KQZ tregon se Lëvizja Vetëvendosje është e para me një rezultat 25,81%. Pas saj Lidhja Demokratike e Kosovës me 25,07%. Partia Dermokratike e Kosovës renditet e treta me 21,17%. Në vendin e katërt renditet Koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – Partia Social Demokrate me 11,64%. Pritet të numërohen edhe votat me kusht, me postë dhe votat e personave me nevoja të veçanta./21Media